“FLAMURI NE DEÇIQ” I PALOK TRABOINIT
Një libër me dëshmi historike për Kryengritjen e vitit 1911
Në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë
vjen në botim libri “Flamuri në Deçiq”
me autor Palok Traboini (Gojçaj). Gjithçka që ka të bëjë me krijimet e Palok
Traboinit janë botuar pjesërisht më parë apo kanë mbetur në dorëshkrim dhe i
takojnë viteve 1908-1911. Libri përfshin katër kapituj që paraqesin aspekte të
ndryshme të krijimtarisë e të jetës së këtij autori që gjithashtu ka qenë një
veprimtar i njohur në vitet e pavarësisë si
gazetar, mësues e si luftëtar. Ai ka qenë sekretar i Ded Gjo Lulit dhe i
ngarkuar prej tij ka sjellë përmes Dalmacisë flamurin e porositur në Vjenë nga
Alardo Kastrioti për kryengritësit shqiptarë të Malësisë së Veriut, flamur ky i
njohur nga fotografia e Marubit fiksuar me emrin Flamuri i Deçiqit apo ndryshe
Flamuri i Ded Gjo Lulit.
Kapitulli i parë përfshin veprimtarinë e
Palok Traboinit si një ndër publicistët e parë të pavarësisë me shkrimet në gazetën “Bashkimi” të Dom Ndoc Nikës, duke përshirë
artikuj e kryeartikuj. Ndër to ka shkrime si “Lidhësia forcon kombin” në të cilën kërkohet një unitet kombëtar për
të patur përparim në mes të kombeve të tjerë të Europës, shkrime mbi ilirët e
pellazgët që evokohen qëllimisht për të ngjallur krenarinë si komb i lashtë, për
përhapjen e arsimit e të dijes në popull apo edhe për plagën e thellë shoqërore
të gjakmarrjes.
Në kapitullin e dytë me dorëshkrime
shkollore vijnë të përkthyer nga frëngjishtja disa prej shkrimeve që mbajnë
vitin 1908 si ai për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, për Washington-in, Ligurkun
si dhe disa ngjarje nga jeta në shkollën e mesme teknike italiane në Shkodër ku
ai ka qenë student.
Padyshim interesin më të madh e ka poema “Lufta e maleve” e shkruar në Prizren në
vitin 1911, në të cilën ai duke qënë pjesmarrës aktiv në Kryengritjen e Malësisë
së Madhe e përshkruan këtë ngjarje të madhe historike me rreth 1700 vargje. Një
poemë epiko-historike me ngjarje dhe heronj realë.
P.Traboini me Ded Gjo Lulin dhe At Gjergj Fishten |
Moment të veçantë në poemë zë ai kur Ded
Gjo Luli u kërkon djemve të shkojnë e të vënë flamurin e Skënderbeut në maj të
Bratilës së Deçiqit.
Shkrimet e studiueve Hamit Boriçi, Fran Camaj,
Gjovalin Shkurtaj dhe Fatmir Terziu mbi disa tipare tipare të publicistikës dhe
analiza të poemes historike të Palok Traboinit përbëjnë kapitullin e tretë të
librit “Flamuri ne Deçiq”.
Kapitulli i katërt vijon me dëshmitë e
ish-nxënësve dhe bashkkohësve mbi
veprimtarinë e mësuesit dhe luftëtarit të dy luftrave kombëtare duke përfshirë
dhe luftën e Koplikut 1920, Palok Traboini e në vazhdim kujtimet e të birit
Kolec Traboini, i cili, anipse i mbetur jetim që në moshë të vogël, nëpër vite
ka arritur të mbledhë plot materiale e fakte mbi jetën e prindit të munguar. Shënimet
e birit për Atin mbajnë titullin “Një kërkim
që fillon e nuk mbaron kurrë”.
Libri mbyllet me një album fotografik të
nxjerra nga Fototeka Marubi ku Palok
Traboini shihet bashkë me Ded Gjo Lulin e krerët e Malësisë që në vitin 1908, në mes të një grupi të vogël që Kel Marubi e
ka shënuar “Disa luftëtarë të Deçiqit”, një foto tjetër ku Palok Traboini është bashkë me At Gjergj Fishtën, At Anton Arapin,
At Benardin Palaj, At Martin Gjokën, At
Marin Sirdanin, Simon Rrotën, Kol Gurashin, Kolë Kamsin, Ndue Palucën e të tjerë
si trupa mësimore e shkollës së fretënve në vitin 1924.
Dëshmitë që sillen në këtë libër plotësojnë
një kuadër të munguar të ngjarjeve historike të Kryengritjes së Malësisë së
madhe 1911, por edhe sjellin në vëmendje një figurë atdhetare të lënë në
heshtje, publicistin, poetin, mësuesin e parë të Malësisë së Madhe, sekretarin
e Ded Gjo Lulit dhe luftëtarin e flamurtarin e Deçiqit - Palok Traboini.
No comments:
Post a Comment