BIOGRAFI SHQIP/ ENGLISHPUBLICISTIKË POEMËSHKRIME MBI P. TRABOININPËRKUJTIMORE PRIZREN 2012 PËRKUJTIMORE TUZ 2012 FOTO

Shkrime për Palok Traboinin




Në foto udhëheqesi i Kryengritjes së vitit 1911, Ded Gjo Luli( nr.1), Bajraktari i Hotit, Deli Meta (nr.2 dhe mesuesi kryengrites e sekretari i Ded Gjo Lulit, Palok Traboini ( nr.3)

DEDË GJO’ LULI NË POEMËN “LUFTA E MALEVE” E PALOKË TRABOINIT



nga Fran CAMAJ,
Gazetar, mësues e autor. Tuz



Është detyrë e jonë njerëzore, humane e patriotike që t’ i përkujtojmë njerëzit e mëdhenj, njerëzit që kanë sakrifikuar gjënë më të shtrenjtë për interesa kombëtare e njerëzore, siç është heroi ynë kombëtar Dedë Gjon Luli, i cili u vra tradhtisht nga dora e zgjatur serbe, në ditën e sotme 90 vjet më parë. Shumë pena të shquara dhe shumë njerëz të ditur nga gjiri i popullit tonë, i kanë thurrë këngë artistike e popullore këtij tribuni të popullit, i cili atdheut i dha çka kishte - jetën e vet dhe të dy djemve, duke na lënë kujtimet më të bukura dhe porosinë - “Amanet atdheun! Luftoni së bashku për ideale të larta kombëtare se jemi një!”. Me porosi të ngjashme dhe të shenjtë e fillon poemën e vet “Lufta e maleve”, shkrimtari, mësuesi, patrioti e bashkëluftëtari i Dedë Gjon Lulit, Palokë Traboni (Gojçaj), i lindur në Nabom, te Kroi i Traboinit në vitin 1888, i shkolluar në Shkodër, mësues në Prizren, Shkodër, Bajzë, Tuz dhe shumë fshatra të Malësisë, autor i disa artikujve të botuar në revistat e kohës, kryesisht në “Bashkimi” dhe i poemës në fjalë prej rreth 1600 vargjesh.
Poema “Lufta e maleve” në tërësi i kushtohet Kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911, në të cilën figurë qendrore është Dedë Gjo’ Luli me bashkëluftëtarët e vet. Palokë Traboini poemën e vet e fillon me konstatimin, që njëkohësisht ishte, është dhe do të jetë edhe porosi me vlerë për të gjithë shqiptarët, dje, sot dhe nesër:

Po gjithmonë kombi i Shqiptarit
për vend t’ vet e për erz t’ t’ parit
ka ba dekën gjithë për s’ mbarit,
pa iu lodh kurr mendja e kres
me da kund ndryshimi i fes:
paj Bajramit e për Pashkë
kemi gzue e ba qef bashkë
.
Porosia e këtyre dhe e vargjeve që pasojnë, është e qartë dhe u drejtohet shqiptarëve në kohën kur Perandoria Osmane miratoi kushtetutën e re, në korrik të vitit 1908.

Prandaj sot po bajmë rixha
ligjës s’ re mos me na da,
e lirinë ta gzojmë vllaznisht,
si na e desht gjithmonë zakoni
ndoshta edhe Konstitucioni.
Poeti i këndon vitit 1908, kur në Perandoria Osmane, nën presionin e xhonturqve, bëri disa ndryshime të cilat i jepnin shpresë popullit shqiptar, të robëruar afro pesë shekuj, se në mos do të fitojë lirinë e plotë, do të lirohet nga shtrëngicat e mëdha të asaj robërie dhe do të marrë frymë më lirisht. Kushtetuta, të cilën autori Traboini e quan ligj, u prit me shpresë të madhe sa që u kremtua me të shtëna nga armët, me brohoritje të grave dhe të fëmijëve, pleqve dhe të rinjve, madje me aq gëzim e shpresë sa që njerëzit e krahasonin me lirinë:

sidomos kjo Shkodra jonë
qi bidat ka pasë gjithmonë
me qit pushkë me shej gazmendit
për çdo festë e kremte t’ vendit.
Për këtë eufori politike të rastit flasin edhe Dom Ndoc Nikaj, “...Për nji javë rresht ngiati festimi” Zonja Durham “ Por pavarësisht nga euforia e përgjithshme, unë e dija se lufta e Shqipërisë për njohje ndërkombëtare sapo kishte filluar...” dhe shumë të tjerë. Po Zonja Durham nuk do të ishte ajo që është si të mos e kuptonte qëllimin e Sulltanit dhe momentin në të cilin u bënë, gjegjësisht u premtuan, këto reforma. E dinte se armiku nuk heq dorë lehtë nga qëllimet e veta. Të gjitha ato premtime dhe ligje të reja ishin vetëm fjalë boshe, të folura ose të shkruara, njësoj. Në vend se shqiptarët të gëzojnë lirinë e premtuar, Sulltani sjell ligjin e ri që të gjithë shqiptarët t’ i dorëzojnë armët, që do të thotë, të çarmatosen. Është i qartë qëllimi i këtij ligji për realizimin e të cilit ngarkohet, sipas autorit Traboini, Dërgut Pasha famëkeq, i cili këtë aksion e filloi në Kosovë për të vazhduar më vonë në Shkodër, duke premtuar gjoja jetë civilizuese si në gjithë Evropën. Natyrisht se as kosovarët as shkodranët nuk pranuan lehtë të ndahen nga arma, i vemi mbrojtës i jetës dhe nderit të tyre. Shqiptari ka lindur, ka jetuar dhe ka vdekur me armë në dorë. Kudo ka shkuar, armën nuk e ka hequr nga krahu. Këtë rrugë dhe këtë veprim nuk e ka zgjedhur ai, por ia kanë imponuar të tjerët, armiqtë shekullorë, që atë dhe vendin e tij e kanë mbajtur të robëruar shekuj të tërë. Kur nuk ndihmoi dredhia, Dërgut Pasha atyre “u dëftoi pushkën e topin, çengelat edhe konopin”. Aq shkoi larg sa vrau e preu gra e fëmijë, burra e të rinj, të pafajshëm se të fajtorë nuk kishte. Nuk mund të jetë fajtor ai që lufton për lirinë e vet dhe të vendit, ai që lufton për dinjitetin e vet njerëzor e kombëtar, ai që mbrohet e nuk sulmon. Populli u gjet në situatë tejet të vështirë. Nuk mund t’ i duronte torturat, vrasjet dhe keqtrajtimet e përditshme të Xhavit e më vonë të Dërgut Pashës me ordi të vet. Nuk kishte rëndësi për armikun a është i njërës apo e fesë tjetër. Të gjithë ishin të njëjtë para shpatës së mprehtë të tij. Krimet ishin tepër të tmerrshme sa që:
U mnerue dynjaja e ngeli, kur panë hoxhën te çengeli, në çengel vjerrun n’ Parrucë,
e t’ dy kambtë u hinë në nji kpucë...
Pas Kosovës dhe Shkodrës i erdhi radha Malësisë, në krye të të cilës gjendej trimi Dedë Gjo’ Luli, pa fjalën e të cilit nuk merrej asnjë vendim i rëndësishëm. Dedë Gjo’ Luli në veprën e Palokë Traboinit është “ ... trim dai, qi si le shoqi në Malsi”, pastaj “...Trim me fletë, që për Shqipni ka da me dekë”. Si i tillë, ai nuk do të flasë në emër të Malësisë, pa dëgjuar mendimin e krerëve të saj edhe pse fjalën e tij nuk e thyente lehtë askush, ngase ajo ishte e mençur dhe me mend. Ajo dilte nga zemra bujare dhe e pastër e tij, që rrah vetëm për atdhe dhe popullin shqiptar. Nuk ka gjë më të shtrenjtë se ato, madje as familja as jeta. Andaj në gojën e trimit tonë Traboini, vë këtë fjalë:
“Unë ‘ i herë, thom sa për veti,
armtë e brezit nuk i hjeki,
n’ u çoftë n’ kambë t’ tanë Hyrr-Xhemjeti.
E kam da me dalë komitë,
marre Hotit mos me i qitë
due me u fikë me ropt e mi
për kët truell e kët Shqipni.
Dedë Gjo’ Luli nuk ka dilemë se si të veprohet. E di se vetëm lidhja e besës e shpëton atdheun dhe e shporr armikun nga trojet tona. Me armikun nuk ka kompromis, andaj insiston që:


me lidhë besë duhet n’ditë t’sotit
me ba luftë si t’ partë e motit
me ia thye fjalën Hyrr-Xhemjetit
me i lanë nam Shqipnis e vetit.
Për faktin se ishte i tillë: patriot, trim e guximtar, besnik e i urtë, udhëheqësit e fiseve të Malësisë, në kuvendin e burrave do ta venë të parë, duke e porositur që të punojë mbarë, si di ai, por edhe t’ i çojë fjalë Dërgut Pashës “... se n’ Malsi s’ ka pse me dalë”. Trimin e maleve më shumë e gëzon vendosmëria e krerëve të Malësisë dhe e bashkëluftëtarëve të vet që të mos pranojnë urdhrin e pashait as të Stambollit që t’ i dorëzojnë armët, se sa detyra që ia caktuan ata. Trimat si Dedë Gjo’ Luli nuk dinë të frikohen. Për ta nuk ka jetë pa liri. Vdekja në luftë për liri është e bekuar, kurse jeta në robëri është e mallkuar. Andaj qet kushtrimin:

prej pesëmbdhetë e n’ shtatdhet vjet
t’ çohen n’ kambë e t’ bajn gajret
me qindrue për vend të vet,
mos me njoftë ma Hyrr as mbret,
Të gjitha këto ngjarje i paraprinë Kryengritjes së madhe të Malësisë të vitit 1911, të cilën autori i poemës “Lufta e maleve” e përshkruan prej këngës së tretë e deri në këngën e shtatë dhe të fundit. Dedë Gjo’ Luli, edhe pse trim dhe i guximshëm, nga familja atdhetare e bujare, shtyllë e Hotit dhe e Malësisë, asgjë nuk do të kishte arritur pa ndihmën dhe mbështetjen e burrave dhe udhëheqësve të fiseve malësore, pa përkrahjen e luftëtarëve, burrave dhe trimave të Malësisë, siç ishin Deli Meta, derë oxhaku, që u betua se “ Pa m’mbrri deri n’ gju gjaku, Hyrrit n’ dorë kurr nuk i bie”; Tomë Nikolla, që i nxit bashkëluftëtarët e vet “ Pra t’ gajresim me qindrue, se thom orën e kem çue”; Mirash Lucë Kastrati, i cili la “nam në histori”; Dedë Preçi plak i vjetër e bajraktar, që kishte vendosur të japë jetën për atdhe, pastaj “ Trimi si rrufe ky Gjelosh Gjoka, djal sokol qi se ka toka”; Mirash Luca me treqind shokë “fort të dukshëm për pashi, burra t’ zgjedhun për trimni”; Nikollë Miri, që nuk frikohet para asnjë armikut; Prelë Keri që “gjithmonë kje rrfe e seferi”; Preloc Prek Peci, Selim Beci, Nikë Gjo’ Leci, Zef Koleci, Gjekë Mal Gjoku, Kol Doda, Nikë Kol Celi e Lekë Marash Peci, djem sokola e trima si zana, Gjon Ujk Çeku, i cili dha jetën trimërisht afër kalasë së Shipshanikut e shumë e shumë të tjerë. Nuk ka si humbet lufta me trima e luftëtarë të tillë, thoshte Dedë Gjo’ Luli. Andaj përsëri bën thirrje:

Kush lavdohet se asht Shqiptar,
mbahet burrë edhe bujar
hiç mos t’ tutet, mos t’ frigohet
tue pa gjakun kah dikohet.
Kësaj thirrje të Dedë Gjo’ Lulit iu përgjigjën të gjitha fiset e Malësisë dhe të rajoneve tjera: Zagora, Shkreli, Këlmendi,, Rranxa e Mbishkodrës,, Boga, Rrjolli, Reç e Lohe, Shalë e Shosh, Grudë e Hot dhe të gjithë ku ka shqiptarë, shkruan Traboini, i cili, thekson se “ Në Traboin....filloi lufta e u suell e mbara”. Fjala është për betejën e njohur të Qepurrit (herë Cjepurr herë Gjepurr e përdor autori) të 25 marsit të vitit 1911 në të cilën e humbën jetën nëntë traboinas trima, në mesin e të cilëve edhe dy djemtë dhe i vëllai i Lulash Zekës, pastaj trimi Kolë Marash Vata, i cili para vdekjes ankonte “ Drue prej gjakut m’ a dryshkë shpata”, Ujk Gjelosh Leka e të tjerë. E vërteta është se Kryengritja e Malësisë ka filluar me sulmin e malësorëve në postën ushtarake të Rapshës një ditë më parë. Sigurisht se autorin e ka tërhequr të thotë kështu duke pasur parasysh se beteja e Qepurrit përfundoi me fitoren e lavdishme të traboinasve, por edhe me shumë viktima, sa “s’ e mban mend ‘i qind vjeç plaku”. Përndryshe krijuesin letrar shpesh herë e joshin më shumë trimëria, vdekja heroike dhe shumë rrethana tjera të luftës sesa edhe vet faktet historike. Këtë poemë autori e shkroi në Prizren në Vitin 1911 kur atje punonte si mësues. Edhe pse larg vendlindjes, ka qenë mirë i informuar për luftën që zhvillohej në Malësi dhe gjetiu në atë vit vendimtar për shqiptarët dhe Shqipërinë. Ai nga Prizreni u kthye në vendlindje për të marrë pjesë në mbrojtjen e saj. “Palokë Traboini ishte pjesëmarrës në Kryengritjen e Malësisë së Madhe. Madje, ai plagoset në betejën në Majën e Harimës, më 15 korrik 1912 në luftë kundër pushtuesve turq...” Është fjala për kryengritjen e cila i paraprini luftës gjithshqiptare për çlirim definitiv nga Perandoria Osmane, një vit para ngritjes së flamurit të pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor të vitit 1912. Këtij akti të lavdishëm e madhor i paraprini ngritja e flamurit në Bratilën legjendare pranë Deçiqit, olimpit të Malësisë, më 6 prill të vitit 1911. E ngriti atë trimi Nikë Gjelosh Luli, të cilin autori e quan “ora e Malsis, shpresa e fort e gjithë djelmnis”. Nikë Gjelosh Luli, kushëriri i heroit tonë kombëtar, një muaj më vonë u vra në Kërlogosh, afër Bratilës dhe Deçiqit, që u lanë sa e sa herë me gjakun e trimave që vlonte gjithmonë vetëm për atdhe e liri.dhe ku ende valëviste flamuri me shqiponjë dykrerëshe, të cilin e kishte ngritur ai me duart e veta të çelikta. Disa studiues vërtetojnë se para dhe pas ngritjes së flamurit në Bratilë u ngritën dhe u shpalosën edhe disa flamuj të tjerë të vegjël në praninë e numrit sa më të madh të njerëzve. Petraq Pepo në libribn “Lufta për çlirimin kombëtar”, në artikullin “Flamuri”, citon kujtimet e Martin Ujkës, bashkëluftëtar i Dedë Gjo’ Lulit: “Disa prej nesh e dijshin se tre flamuj Shqipnije kishin hi në Hot, por të paktë ishin ata që i kishin pa. Secili veç dëshironte me e pa të shpalosun atë flamur me Shqipe. Palokë Traboini ne 1911 kishte kthye prej Austrisë e tre flamujt që kishte pru prej andej i kishte nda kështu: njenin Dedë Gjo’ Lulit, tjetrin Ujkës së Grudës e të tretin Prelë Lucës së Trieshit.... Ditën e diel, me 6 Prill u mblodh popull i madh te Kisha e Traboinit. Kolë Dedë Gjoni me urdhën t’ et, Dedë Gjo’ Lulit, e hapi flamurin kuq e zi. ... Të gjithë ndejtën pa za. Mandej u ba nji batare pushkësh e ushtuene malet përreth. ... Atë ditë edhe Dok Ujka te Kisha e Grudës dhe Prel Luca në Triesh ngritën flamurin e Shqipnisë”. Në mënyrë të ngjashme shkruan edhe Palokë Traboini në në këngën e fundit të poemës “Lufta e maleve”.


Aty at-herë Kolë Dedë Gjo’ Luli
njenin flamur n’ bli e nguli
prej të gjithve me u soditë
pala-pala tue valvitë.
Autori përshkruan gëzimin e madh të traboinasve dhe të malësorëve tjerë, të cilin e shprehën me eufori të madhe, me të shtëna nga armët dhe me brohoritje:

“Rrnoftë flamuri e rrnoftë Shqipnija,
orën çuet e ka Malsija!”.
Për dallim nga Petraq Pepo, Palokë Traboini flet për dy flamuj; njërin që e shpalosi dhe e vendosi në blirin në oborr të Kishës së Traboinit i biri i Dedë Gjo’ Lulit, Kola, kurse tjetrin, që heroi ynë Dedë Gjo’ Luli ua dha djemve të Hotit dhe i porositi:

“çonju tash, djelt e mi,
me dek sot për flamuri
se i erdh dita ksaj Shqipni
Në Deçiq ja u due n’ kët ditë
flamurin n’ maje me e ngritë
Dhe ashtu ndodhi. Të njëjtën ditë, vetëm pas disa minutash, djemt petrita, siç i quan poeti:

“n’ kulm Deçiqit me iu njitë
ku flamurin e kanë ngritë
tue këndue e pushkë tue qitë
prej gazmendit t’ asaj ditë.”
Shtrohet pyeta se a është fjala për flamurin që është ngritur më 6 prill të vitit 1911 në Bratilë, apo për ndonjë flamur tjetër ngase thuhet se Dedë Gjo Luli donte ta ngriste Flamurin kombëtar përsëri në Deçiq, një vit më vonë, për faktin se Deçiqi ishte bërë simbol i luftës, i qëndresës dhe rezistencës së madhe, simbol i sakrificës së malësorëve gjatë Kryengritjes së Malësisë, por edhe para fillimit dhe në vazhdim të saj deri në çlirim përfundimtar nga Perandoria Osmane. “Në fund të marsit 1912 filloi me u folë se Dedë Gjo Luli kishte ndërmend ta ngrente për të dytën herë Flamurin e Shqipnisë faqe mbarë popullit dhe kjo tu kallxonte të gjithëve se lufta që bahej, së bashku me anët e tjera të Shqipnisë, bahej për lirinë e ardheut tonë” . Madje mendohet se flamujt i solli vet autori i poemës “Lufta e maleve”, Palokë Traboini për t’ i ngritur jo vetëm në Deçiq ose Bratilë, por edhe në shumë vende tjera për të nxitur popullin në luftë kundër armikut. Përndryshe, për marrjen e majës së Deçiqit malësorët kanë luftuar shumë herë ngase aty vendoseshin forca të mëdha të armikut dhe nga aty kontrollohej shumë më lehtë tërë pjesa fushore me qendër Tuzin, por edhe rajonet malore të Hotit dhe të Grudës, në veçanti Traboini, Ksheva dhe fshatra tjera të përreth. Gjatë asaj kohe ky mal kalonte herë në duart e malësorëve, herë në duar të armikut. Këtë e vërteton edhe kënga popullore “Lufta e kojasve ën Deçiq” kushtuar shtatë trimave të Kojës që dhanë jetën në një betejë të përgjakshme me forcat turke për majën e Deçiqit dhe të cilëve trashëgimtarët e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sivjet u ngritën një lapidar në shenjë nderimi dhe respekti.

“Koja e vogël i pakicë,
muor bajrakun ën Deçiq”.
Se nuk është fjala për ngritjen e Flamurit në Deçiq, më 6 prill 1912 në përvjetorin e ngritjes së flamurit nga Nikë Gjelosh Lulit tregojnë disa fakte. Më parë do të thosha se është fjala për ngritje të shpeshtë të flamujve të vegjël kudo që ishte e mundur. Pse them kështu? Në “Hylli i Dritës” nr. 11, 1937, faqe 523 shkruan: “ Në verë të vitit 1911 gjendeshin Gruda e Kastrati të mbledhun në Gradinë tuj pritë ndonji urdhën të ri. Në ato ditë mbërritën prej Podgorice 12 italianë vullnetarë... Kje këtë rase që një farë Pal Gjoni prej Grude me vu nji flamur në shtizë të gjatë e ngrehi në Suka të Grudës me gëzim të gjithë malësorëve, që brohoritshin pa da e qitshin pushkë. S’ asht për t’u harruar se në këtë kohë shpërndajnë flamuj kombëtarë ndër malësorë Pjetër Nushi e Kol Ivanaj e ma vonë Karl Prenushi, Zef Kurti, Luigj Kodheli, Simon Prendi, Hiluk Koliqi e Palokë Traboini.” Kjo e dhënë e përjashton mundësinë që në poemën “Lufta e maleve” të bëhet fjalë për ngritjen e këtyre flamujve në vitin 1912 ngase në tekstin e lartpërmendur bëhet fjalë për verën e vitit 1911 e më herët. Nga ana tjetër në këtë poemë nuk flitet fare për luftërat e vitit 1912 ngase autori atë e ka shkruar në vitin 1911 në Prizren. Pra kjo mundësi përjashtohet dhe mbetet të mendojmë nëse këta flamuj i kanë paraprirë ngritjes së flamurit më 6 prill të vitit 1911 apo janë ngritur më vonë. Besoj se fjala është për më vonë ose më herët ngase autori do ta kishte përdor emrin e Bratilës, si edhe në pjesë tjera të poemës dhe do të përmendej Nikë Gjelosh Luli që me aq dashuri e dhimbje shkruan për jetën dhe vdekjen e tij. Megjithatë, mundësi që të bëhet fjalë pikërisht për flamurin që është ngritur më 6 prill të vitit 1911 nuk përjashtohet, por gjasat janë të vogla. Them kështu ngase dihet se edhe pas ngritjes së flamurit në Bratilë, për mbrojtjen dhe marrjen e Deçiqit janë vrarë shumë luftëtarë malësorë dhe të armikut.
Me ngritjen e flamurit në Bratilë nuk ka përfunduar lufta e malësorëve kundër Turqisë. Shefqet Dërgut Pasha, në krye të një numri të madh ushtarësh, bën përpjekje të mëdha për t’ i kthyer territoret e çliruara, por rezistenca ishte e madhe. Kur sheh se të gjitha përpjekjet ishin të kota, u jep amnisti malësorëve, por me kushte të cilat i kishin kërkuar ata në qershor të vitit 1911 në Kuvendin e Greçës, të shënuara në “Librër t’ kuq”. Sipas Palokë Traboinit, Stambolli u ofroi mjaft lëshime malësorëve, por megjithatë, porosit:


kto premtime me i kqyrë mirë,
Turkut besë i zëhet vshtirë,
pse shpesh ujku qimen ndrron,
porse vesin se harron.
Më në fund, sipas vargjeve të fundit të poemës “ Lufta e maleve”, trimi Dedë Gjo’ Luli, pas bisedës me krerët e Malësisë dhe shqyrtimit të situatës, megjithatë u drejtohet luftëtarëve dhe malësorëve tjerë që i kishin lëshuar shtëpitë e veta, me këto fjalë:

Po ndigjo, mori Malsi,
ktheni tash pa frigë në shpi
me gjithë rob e robi
se sot Turkun e kem’ zhbi…
Poema “Lufta e maleve” është një poemë e gjatë, e shkruar në ditët më të vështira, por vendimtare, të malësorëve dhe të popullit shqiptar. Është një lloj himni që i këndohet lirisë, një kushtrim për luftë me një armik shumë më të fuqishëm, por që nuk mund të fitojë vullnetin dhe dëshirën e popullit për çlirim nga robëria shekullore, është një klithëm e madhe e një patrioti malësor e shqiptar që lufton me pendë dhe shpatë, një britmë e madhe që del nga zemra e autorit të saj, i cili tërë jetën ia kushtoi atdheut dhe njerëzve të vet. Duke lexuar vargjet e “Luftës së maleve” lexuesit i kujtohen dhe i duket se kanë mjaft ngjashmëri me ato të poetit të madh kombëtar Gjergj Fishtës në “ Lahutën e Malcis’ “ edhe pse kjo e dyta është e një niveli shumë më të lartë letrar e artistik. Fishta me veprat e veta arrin të krijojë stilin e vet, stilin fishtian, që dallohet shumë lehtë nga të gjithë të tjerët. Kjo i mungon veprës së Traboinit, por jo vetëm të atij. Poema “Lufta e maleve” është një sprovë e autorit që nga krijimtaria gojore, të krijojë një vepër letrare, më mirë të them një poemë mjaft tërheqëse për lexuesin dhe nxitëse për njerëzit e atëhershëm që mbronin çdo pëllëmbë të tokës së vet. Pra “Lufta e maleve” është një poemë e mirë e inspiruar dhe e krijuar nga këngët popullore, të sintetizuara dhe të bashkuara në një tërësi. Poeti përmes kësaj poeme i këndon një ngjarjeje të madhe historike, kronologjikisht si është zhvilluar ajo, sipas rrjedhës së ndodhive, duke mos mbetur rob i saktësisë së kohës dhe vendit të zhvillimit të tyre. Gjuha që përdor autori i takon të folmes së Malësisë së Madhe, pa ndryshime e zbukurime. Simbolet dhe figurat stilistike janë të shpeshta dhe të llojllojshme, përndryshe ashtu si edhe në letërsinë popullore, në të cilën aq shumë mbështetet autori. Poeti në këtë poezi të gjatë zakonisht përdor tetërrokëshin dhe dhjetërrokëshin dhe shumë rrallë gjashtërrokëshin. Rima është e puthme, e kombinuar dhe shpesh e krijuar edhe me zor. Duket se autorin më shumë e ka preokupuar qëllimi që poezia e tij të jetë tërheqëse për lexuesin, nxitëse për luftëtarët e lirisë dhe të mund të këndohet në raste dhe situata të ndryshme se sa normat letrare e artistike. Në këtë drejtim mendoj se ia ka arritur qëllimit plotësisht.
Në fund të them se e kam marrë ta trajtoj këtë temë për dy shkaqe. I pari ka qenë që t’ i jap kontributin tim modest këtij tubimi shkencor e përkujtimor me rastin e 90 vjetorit të vrasjes së trimit Dedë Gjo’ Lulit, i cili edhe në moshë të thyer, ishte halë në sy të atyre që ëndërronin tokat shqiptare. Shkaku i dytë është dëshira ime që malësorët këndej kufirit, madje edhe më të afërmit e tij, t’ i përkujtoj se në Traboin, afër Kroit të këtij fshati të bukur, para 117 vjetësh, ka lindur një njeri me të cilin mund dhe duhet të krenohet i tërë populli shqiptar, e jo vetëm ne vëllezërit e tij. Ta pyesim veten pse për Palokë Traboinin dhe për shumë të tjerë nuk kemi folur e shkruar, as nuk flasim e shkruajmë sa duhet as sot e kësaj dite, kur ata nuk e kanë kursyer as jetën për këtë vend. Pse të mos i përmendim për shembull edhe Kolë Martinin dhe Gjergj Martinin, të parin nga Helmica e të dytin nga fshati Spijë,e sa e sa të tjerë, që ranë viktimë e dorës së zezë të komunizmit menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kishin shkuar në Kosovë, me rreth 300 mësues të tjerë që i kishte dërguar ministri i atëhershëm i arsimit Ernest Koliqi në Kosovë, për t’ i mësuar fëmijët shkronjat shqipe dhe në vend të mirënjohjes, gjetën vdekjen. Pse t’ i lëmë në harresë njerëzit tanë kur kanë merita kaq të mëdha.
Poema “Lufta e maleve” edhe pse nuk është e nivelit të “Lahutës së Malcis’ “, meriton të gjejë vend në antologjitë e letërsisë shqipe e mos të them në tekstet shkollore në të cilat mësojnë fëmijët e këtyre trojeve. Po edhe pse nuk gjenden në tekstet shkollore, a nuk është obligim i arsimtarëve të gjuhës dhe letërsisë shqipe, që t’ u lexojnë fëmijëve pjesë nga kjo vepër dhe nga veprat e ngjashme? Në mos në orët e rregullta të mësimit, në orë plotësuese, në orë letrare etj. Së paku kaq mund ta bëjmë. Palokë Traboini ka qenë mësues i shkëlqyer. “Me spjegimin e mësimit të bënte për vehte, ndërsa me bukurshkrimin të mahniste. Mësues Paloka ndiqte përparimin e fëmijve në mësim, por edhe jasht shkolles. Mësues Paloka vinte nëpër shtëpia për të vrejtur nëse janë tue mësue ose jo. Kudo gjendej për nxënësin. Ai ishte edhe bujar, nxënësve të varfër ju blente libra, fletore, bojë shkrimi, penda e tjerë, me shpenzimet e veta. Ka pasë rast që edhe mue më ka ble ndonji fletore.”, thotë një nxënës i tij. Ka punuar si mësues në Prizren pastaj në Tuz, Bajzë, në Shkodër dhe në shumë fshatra të rrethit të këtij qyteti. “... më 17 shtator 1928 caktohet mësues në Bajzë të Kastratit, duke vazhduar në këtë profesion të nderuar edhe nëpër fshatra të tjera të rrethit të Shkodrës deri në vitin 1939. Ai do mbetet një figurë e nderuar e popullit të Kastratit për kontributin me pushkë dhe penë që i dha ai kësaj zone e sidomos për poemën kushtuar trimave kastratas, shkruan Gjokë Luli në librin “Kastrati”.
Mund të flitet ende për Palokë Traboinin, por edhe një pyetje vetes dhe juve: A thua se nuk do të ishte mirë që njëra prej shkollave tona fillore ose mesmja, në vend të emrave ideologjikë dhe të tejkaluar (“Jedinstvo”, “Mahmut Lekiq”, “29 Nëntori”, “25 maji”) të mbajë emrin e këtij mësuesi dhe punëtori të palodhshëm të arsimit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Besoj se përgjigja është e lehtë dhe çdo koment do të ishte i tepërt.
Tuz, më 24.09.2004
* FRAN CAMAJ është nga Hoti, fshati Spi -Traboin,i lindur në vitin 1949. Fakultetin filozofik- gjuhë e letërsi shqipe e ka kryer në Prishtinë. Në Arzë në Shkollën fillore te Traboinit , ka dhënë lëndën e gjuhës e letërsisë shqipe 1969 -1976, ne vazhdim eshte emruar në Gjimnazin e Tuzit, profesor i gjuhës e letërsisë shqipe.Ka punuar gazetar- redaktor i Programit shqip të Radio Podgorices, me pas redaktor përgjegjës i Programit shqip në TV të Malit të Zi. Me të ndjerin Gjergj Gjokaj eshte bashke-hartues i dy teksteve shkollore qe janë në përdorim në shkollat shqipe të M.Z. Shtëpia botuese “Toena”-Tiranë ka botuar romanin e tij “Rruga e pamëshirshme” i pritur mjaft mire. Në vitin 2007 ka botuar romanin"Kohët Flasin".“Shoqata “Illyricumi” bashkethemelues i të cilës eshte F. Camaj, ka organizuar në shtator të vitit 2005 Konferencën shkencore e përkujtimore me rastin e 90 vjetorit të vrasjes së Dedë Gjo’ Lulit ku ka mbajtur kumtesen”Dedë Gjo Luli ne poemën “Lufta e maleve” të Palokë Traboinit”.
NE BIJTË E XHUBLETËS...
Mbresë mbi dorëshkrimin e librit“Lufta e maleve“

Prof.dr. GJOVALIN SHKURTAJ
E mora librin në dorëshkrim „Lufta e maleve“ dhe e lexova me një frymë. Paraprakisht të përgëzoj e të mbështes për ndihmesën që jep me këtë libër, jo vetëm për të njohur atin tënd e veprën e tij, kjo është me rëndësi dhe të nderon se je djali i tij, por edhe për sa nxjerrë aty në dritë lidhur me një bir të maleve tona, për Palok Traboinin si djalë i Malësisë sonë të Madhe, një biri të denjë e të nderuar, të cilit na bie t’i falemi e t’i përunjemi me nderim të gjithë sa jemi „bij të xhubletës“, qoftë me shkollë si ti e unë dhe aq të tjerë kudo qofshin, qofshin edhe pa shkollë, kudo që të gjenden, qysh nga Rrasat e Fikut e deri atje në Amerikë, prej nga na i nis këta rreshta të bukur.Qofshin dorëmbarë!
Hoti, në një farë mënyre, na kujton Romën e lashtë, për të cilën vetë Jul Qezari pat thënë me mburrje se ishte e përmendur për bijtë e saj. Djemtë e Hotit janë shquar mbi të gjithë fatosat e Malësisë, duke mos e kursyer as jetën për atme e lirim të vendit të vet, prandaj edhe janë fiksuar aq madhërisht në vjershërinë e në këngët trimërore, që nuk vdesin kurrë. Ndre Mjedja te tingëllima e tij „Liria“ thoshte për hotjanët aq bukur:


Qe ndër djepa rrisin nanat e Hotit

djelmëninë ushtore
e idhnim n’anmikun nëpër gji u qesin
.“
Përmenda vargje të Mjedës, që i di gjithkush që ka kryer së paku shkollën tetëvjeçare, por mund të përmendim edhe shumë të tjera, sidomos sa shkroi për malet tona poeti luftar Hilë Mosi, pastaj edhe zëmëdhenj si Atë Gjergj Fishta. Të mos harrojmë edhe këngët me lahutë kushtuar Ded Gjo Lulit e trimave të tjerë të Hotit me të cilat jemi rritur. Sikundër thoshte edhe një këngë e bukur vite më parë „me këngë trimërie e kanë rritur shtatin vashat“ shqiptare. Natyrisht edhe këngën e pavdekshme shkodrane „Ded Gjo Luli ka shkrue nji letër“, që e përjetësoi Bik Ndoja me zërin e tij prej bilbili. Sa herë e dëgjoj atë këngë më përqethet shtati, më vjen një vlagë krenarie për burrat si Ai që nxori në shekuj vendi ynë.
Çfarë është thënë për Ded Gjo Lulin e trimat e tij i takon edhe njërit prej tyre, të ndjerit e të nderuarit Palok Traboini, atit tënd të paharrueshëm. Por, atij, lejohem ta them, për hir të kujdesit e të punës sate prej biri të kujdeshëm e të denjë, brezat që janë gjallë e ata që do të vijnë, do t’i njohin edhe diçka më shumë: do t’i lexojnë veprat që ka lënë, të cilat ti, mik i dashur, po ia boton me përkushtim e duke gjetur mjetet e mënyrën më të mirë për botim.
Librin, që siç thashë më sipër, e lexova me një frymë, më pëlqeu dhe do të këndoj përsëri, por po të theksoj, ndër të tjera, ndonjë ide që më preku nga poema e tij, ku gjejmë vargje me vlerë e nëntekst përbashkues për kombin tonë, sidomos kundër ndasive fetare e krahinore. Kam parasysh, sidomos këto vargje:

Po gjithmonë kombi i Shqiptarit
për vend t’ vet e për erz t’ t’ parit
ka ba deken gjithë për s’ mbarit,
pa iu lodhë kurr mendja e kres,
m’e da kund ndryshimi i fes:
paj Bajramit e për Pashkë
kemi gzue e ba qef bashkë.“
Vepra e Palok Traboinit „Lufta e maleve“, poemë, Prizren 1911, meriton jo vetëm të lexohet nga brezi i ri, por edhe të studiohet, të komentohet e t’i bëhet vendi që i takon në historinë e lëtërsisë shqiptare.
Për fat të keq, pjesa e kësaj letërsie që është shkruar me gjak burrash të vyer, ka mbetur ende në t’errët ose është lënë mbas dore. Kjo padrejtësi ka ardhur koha të ndreqet.
Duke botuar veprat e t’et, të ndjerit e të nderuarit Palok Traboini, bashkëkohës e bashkëluftar i Ded Gjo Lulit, Kolec Traboini na sjell një ndihmesë të vyer, së cilës duhet t’ia kemi lakmi sidomos ne intelektualët me zanafillë nga Malësisa e Madhe.
Së fundi, edhe njëherë, sikundër ta kisha shprehur edhe për botimin e mëparshëm që ma fale vjet në Tiranë, kam mendimin tim shumë të mirë për mjeshtërinë e të shkruarit të Palok Traboinit. Ai shkruan me gjuhë të bukur e të pastër, me fjalë të ngjeshura me kuptime e me figura të vetvetishme, përdor fjalë që të bëjnë ta duash e ta ngulësh në zemër shqipen, larg fjalëve të huaja të panevojshme, larg slloganeve e shtampave të pavlefshme, që mjerisht po na i „servirin“ me denduri shumë gazetarë e gojëtarë të sotëm në gazetat e mediat tona të folura.
Tiranë, 29 Gusht 2006
ME NJË KALIGRAFI TË ADMIRUESHME E FRËNGJISHTE PERFEKTE..

- Mbresë nga një përkthim-

Vasil QESARI,
gazetar TV-3, Francë
Hartimi i atit tënd të ndjerë, më befasoi pa masë. Imagjino, jemi në vitin 1907 e, një djalosh shqiptar, shkruan në bankat e shkollës, një hartim kushtuar Gjergj Uashingtonit. Me një kaligrafi të admirueshme dhe një frëngjishte perfekte, ai zhvillon temën e hartimit: “Thoni gjithmonë të vërtetën!”. Dhe për ta ilustruar atë, djaloshi në fjalë, i cili quhet Palok Traboini, zgjedh një fragment nga jeta e një njeriu të shquar në mbarë botën. Pikërisht, të presidentit të shquar të SHBA, Xhorxh Uashingtonit. Thoni gjithmonë të vërtetën! Si mund të tingëllonte vallë, kjo thënie, kjo frazë, në zemrën dhe ndërgjegjen e një djaloshi shqiptar, ndërkohë që në kalanë e Shkodrës valonte ende flamuri turk me çerek hënë?
Nuk di të bëj parashikime ...
Ndërkohë, them se zhvillimi i saj, është bërë shumë bukur e me një sintaksë për t’u admiruar.
E mbi të gjitha me një ide sublime: E VERTETA!
Thelbi, baza, alfa e gjithçkaje që vlen e kultivon një karakter të drejtë e të vërtetë njerëzor. E vërteta - si gërma e parë e çdo fjale paqeje dhe harmonie që egziston në botë. E verteta, e cila për fat të keq, i ka munguar kaq shumë njerëzimit duke u bërë shkak për mizori të pafund në shekuj ...
Fjala e këtij djaloshi shqiptar nga Shkodra, që nënshkruan në vjeshtë të vitit 1907 me emrin e tij “Paul Treboine”, vjen nga thellësite e viteve të errëta, me plot sinqeritet, freski e jetë, duke sherbyer kështu edhe sot si një apel sa i rrallë e i vyer, sa aktual dhe i nevojshëm për shpirtërat dhe kohët e sotme plot trazim ...
Francë, 2 shtator 2006

___________________________________________________

Plasticiteti i veprës së Palok Traboinit


Fatmir Terziu, Londer


Në një nga shkrimet-esse të tij, pikërisht në artikullin “
Gjinia e Kombit Shqiptar”, botuar në gazetën “Bashkimi” në Shkodër më 17 dhe 24 Prill 1910, Palok Traboini shkruan me gërma korsive: “ne shqiptarët tash katërmijë Lufta e maleve kopertina 1e ma shumë vjet kemi qëndrue mbi tokë, tuj mbajt përherë gjuhën, mendimin, karakterin, dokët, trimërinë fisnikërinë, të dashtunit e lirisë që lumtunisht na rrjedh prej Pellazgëve të parëve tanë”. Dhe në këtë kontekst, në këtë teoremë empirike të mësuesit të lavdishëm shqiptar, që në shënimin e librit kushtuar atij gjejmë pretencën morfologjike të tingëllojë qartë, ngeshëm dhe qashtër për motivin e një rruge me emër domethënës, edhe pse ka një dimension total kriptik dhe optimistik. Është bagazhi që gjendet në gjuhën e përdorur, gjuha e përzgjedhur që krasitet nga njohuria dhe panorama e saj sintaksore. Një plasticitet artistik kumton tërë korektesën që dëshpërohet nga rrethimi natyral i një ndjesie që vjen nga shekujt si një fakt: “na shqiptarët pa fije vesvese jemi komb ma i njeter se greket e se te gjithe fiset e tjera që deri më sot njihen prej historisë në Europë”. (Traboini, 11 Prill 1910). Më tutje një një mesazh për “ata që flasin gjuhën shqipe, që rrjedhin prej fisit tonë e që janë një gjaku me ne, ti duem e ti kemi në hatër, çdo feje e çdo bese që të mbahen…”
Duke u larguar paksa nga primarja apo parësorja e këtij mesazhi brilant, që zbërthehet si postulat Bible, ana tjetër e teorisë së mirëfilltë Traboniane është një lidhje detajore me elementin dhe fatin e gjuhës, dhe me njërëzit që e flasin atë. Shkencërisht e gatuar dhe e miratuar logjikisht gjithë kjo teori klasike e përçon detajin në një tingëllimë bashkëkohore që e bën veprën e Traboinit, një postulat ritmik dhe tepër domethënës për kohën. Le ta analizojmë më konkretisht atë. Kur analiza synon anën teorike, natyrshëm duhet referenca. Në këtë rast referenca është më shumë se një argument, më shumë se një fakt historik. Në aspektin e gjuhës shqetësimi i Palok Traboinit, nuk është vetëm simptomi gjuhëlidhës, kanonik apo shoqëror e fisnor, por është shkencërisht verbal dhe lidhet me fatin e saj në evolucion. Më konkretisht, ndërsa shkenca, teknologjia dhe përparimi i gjithë atyre tipareve që përmend Traboini kanë ecur, gjuha dhe anësimi i saj ushqyes ka mbetur aty ku ka qenë ose është fryrë e tejfryrë me gjuhën e tjetrit, apo edhe të gjeturën e gatshme, ku ka munguar koherenca dhe përkushtimi i linguistëve që ta bëjnë gjuhën e shqiptarëve një gjuhë në ecje e sipër. E ndërsa Palok Traboini mëshon më shumë tek fakti historik duke cituar

e vertëton vetë Heroti, historian ndër ma të moçmit; por mjerisht ma vonë filluene me u prishë e me rrzue atë besim e me adhurue gjithafarë kafshësh, diellin, hanën, yjt etj. e u trueshin (flijojshin) atyre me desh, lopë, kual, qingja, dhi e të tjera shtazë”.

Sot është ndryshe, po ata rrjedhës të moçëm të një gjaku kanë përshtatur veten mbas teknologjisë, parasë, kompjuterit e rotullamave të ngjashme, duke bërë të njëjtën gjë që biblikisht i Madhi, Palok Traboini e ka parashikuar ndjeshëm.
Në këtë kontest mesazhi i Traboinit është alarmant për kohën dhe situatën që ne jetojmë, pasi na ka gllabëruar indiferenca dhe anësia materialistike, duke u pasuar me divorcin me gjakun për hir të meseleve katapultuese e dashakeqe.
KështuPalok Traboini kapaku brendshem i librit leximi i eseve dhe mesazheve të Palok Traboinit, janë një shtysë e domosdoshme për të kapërcyer rrethnajën e mjegullt, ku dimensioni njërëzor është mundur nga simptomania paralizuese për tërë aspektin e komunikimit me të njëjtën gjuhë. Gërmimi i tij shkencor, atribohet në një element tipik që vjen nga nocioni perëndimor i mbartjes ose propozimit breznor, pra thirjes për përfshirjen e Palok Traboinit në mesin e domosdoshmërisë historike shqiptare, e pse jo edhe në atë që sot është tepër domethënëse në fushën kërkimore të nivelit më të lartë.
Kjo në fakt nuk propozohet dhe as nuk diktohet. Si një rëndësi me argumentin dhe vlerën në brendësinë e saj, vepra e Traboinit, duhet të përfshihet dhe natyrshëm duhet të nderohet nga më shumë pena.
Duke lexuar Palok Traboinin, dhe ndjerë këtë rëndësi historike, natyrshëm relacioni breznor nuk do të ndjehet robotik ose ngritës supesh në pyetje që sot i ka shmangur ose tejësuar politika dhe interesi koruptiv i sotëm, ngado në mesin shqiptar, por ndjeshëm në lëminë e penave historike, që kërkojnë eshtra nëpër historinë e pashkruar, apo diktuar për pasaportë politike e pse jo edhe për ndonjë tender apo post, për veten, djalin apo vajzën…
Palok Traboini nuk lexohet ndryshe. Ai vjen ndryshe në lëminë e letrare shqiptare, për tu lexuar pastër dhe qartë. Ne nuk duhet ta lëmë atë të na ikë nga duart, nuk duhet ta lëmë të zverdhet dhe të heshtë…
Përse ai etërohet në plasticitetin e tij artistik, ngjizet tek poema e veçantë e tij, “Lufta e Maleve”, që në aspektin letrar kumton një risk të tharmtë, për bagazhin tonë kombëtar në aspektin vlerësues. Në tërësinë e saj, poema epike e Traboinit është një shtojcë empirike në fushën krijuese të trashëguar shqiptare. Pa përmendur emra, pa bërë krahasime, dhe madje pa synuar spostime apo dhënë pak apo më shumë vlera për larminë dhe pasurinë letare shqiptare, natyrshëm pa krahasuar krijimtarinë e Palok Traboinit me dikend tjetër në llojin e vet, ajo që bie në sy është e qartë dhe e kuptueshme. Le të shohim vargjet hyrëse:


“duel Iradija e u ndrrue zakoni
n’kambë na u ngreh Konstitucjoni
na u shpall ky usull i ri
pikë ma s’pari n’Stambolli
e mandej edhe n’Shqipni…”

Këtu elementi krijues depërton aq fuqishëm me figurativen e zgjedhur, saqë të duket vetja se ke lënë në heshtje atë që ke mësuar në lidhje me faktin dhe fatin e cituar, apo nuk të pritet derisa të lexosh më tutje të tërë poemën epike. Rima e goditur, fjala e përzgjedhur dhe mesazhi poetik arijnë dimensione të vlerësueshme dhe tepër historike e mesazhiere:

“n’katër qoshet krisi topi
u ngreh shpata dhe konopi…”

Në anën tjetër trajtimi poetik i figurave historike shqiptare si Dedë Gjo Luli, Çun Mula i Hotit (1818-1896), Gjel Çaku, Deli Meta, Mirash Lucë Kastrati, Gjelosh Gjoka, etj natyrshëm rrëfejnë lirshëm se krijimtaria e Traboinit është e mirëfilltë dhe mbart vlera. Vlerat e veprës së Palok Traboinit ngjeshin skutat e historisë dhe ndjehen krenare, mbasi vitet sollën dritë mbi to dhe e vërteta sot flet ndryshe dhe qartë. Gjuhën që ata kanë sjellë në sonduqe severgjeni e meritojnë sot si një respekt dhe si një detyrim fisnik për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e kombëtares që mbruhet dhe ushqehet në melosin dhe trashëgiminë e ardhur pastër dhe ndjeshëm në ditë tona.
Vetë fakti që Palok Traboini ka lindur në prill të vitit 1888 në Traboin të Hotit, në trojet që ndodhen në shtetin e Malit të Zi, në një familje që i takon fisit Gojçaj, kumtohet në lidhje me veprën e tij. Më tej edhe paraqitja reale e jetës duket si një mishërim i pashmangshëm. “Ka mbetur jetim në moshë të vogël dhe e ëma Nora, gjendur në varfëri, deshi ta çonte në Shkrel tek gjinia e vet, por vojvoda i Traboinit Dedë Gjo Luli, që kishte mendimin për të shkolluar një njeri nga Hoti, ku të gjithë ishin analfabetë veç priftit, ndërmjetëson dhe e dërgon në Shkodër, në ShkollënTregtare Italiane, e ku ky vogëlush hotjan do të jetonte në shtëpinë e profesorit zemërmirë Andrea Skanjeti ( i vjetri), italian ky i martuar me një vajzë shqiptare, atë bukuri qytetare shkodrane që tashmë të gjithë e njohin si Xhokonda shqiptare, Motra Tone e Kolë Arsen Idromenos.”
“Me të mbaruar shkollën në vitin 1908, në pamundësi për të vazhduar studimet e larta për gjuhësi, siç aspironte, kish arritur të mësonte 5 gjuhë, me ndërmjetësimin e Kolë Idromenos emrohet mësues në shkollën e fretënve. Po këtë vit martohet me vajzën e profesorit të vet, Katrinën, çfarë e afroi familjarisht me rrethin e elitës aristokrate shkodrane, bartëse e kulturës dhe traditave që prej kohës së venecianëve, se Shkodra dihet, ishte një Venecia e vogël, madje e ngjashme edhe nga rrethimi me ujra; tre lumej e një liqen përreth qytetit që frymëmerrte prej daljes përmes Bunës në det, duke u bërë qendra tregtare ndër më të njohurat në Ballkan. Shërbeu si mësues në Prizren në vitet 1910-11 dhe u gjend në mes të luftëtarëve në Hot kur nisi kryengritja e Malësisë së Madhe më 24 mars 1911.”
Duke rrëfyer me penën dhe mendjen e Palok Traboinit, mendoj se nuk ndjehesh i mangët në gjuhën tënde, nuk ndjehesh sakat në fjalinë dhe poezinë tëmde. Tek vepra e Traboinit mjafton të gëlltitësh një lugë të vogël nga hojet e saj dhe kurimi bëhet më i ndjeshëm se mjalti natyral, që miliona zgjoje e gatuajnë me polenin e dhuruar nga Zoti. Zoti deshi që ky mjalt të na mbërijë në duart tona.



_________ _________ 
 

No comments:

Gjak pa gjak, 27 mars 1910 - nga Palok Traboini

GJAK PA GJAK Gazeta “Bashkimi”, Shkodër, Nr. 13, 27 Mars 1910 Zef Nik Pretashi prej Traboinit (Hot, ditë e diel me 13 të këtij m...