BIOGRAFI SHQIP/ ENGLISHPUBLICISTIKË POEMËSHKRIME MBI P. TRABOININPËRKUJTIMORE PRIZREN 2012 PËRKUJTIMORE TUZ 2012 FOTO

E vërteta mbi Flamurin e Deçiqit - nga Kolec Palok Traboini


E VËRTETA MBI FLAMURIN E DEQIÇIT
Nga Kolec Palok Traboini 

Na ishte një herë një flamur,
na ishte një herë një flamur, një mal e një majë,
na ishte një herë një flamur një mal e një majë
me një hero e ca luftëtarë,...
por, na ishte një herë edhe një kallamar
që çka ishte, e bënte - ç’nuk ishte.


Gjithkush në këtë botë mund të lajthisë. Mund të flasë pa përgjegjësi e duke anashkaluar apo shkelur të vërtetat. Kjo rëndom është sëmundje e kohës ku jetojmë. Më së shumti lajthit politika, lajthisin shtetarët kur tjetër flasin e kurrgjë në ato që premtojnë nuk bëjnë. Nëse tek politikanët kjo edhe mund të pranohet, sepse vjen rotacioni dhe bashkë me ikjen e tyre nga pushteti çdo gjë harrohet, në disa punë e profesione të tjera lajthitjet kanë kosto të rëndë. Por, a është e lehtë të kapërdihet lajthitja e historianëve, një fenomen që është vënë re që pas vitit 1944 e në vazhdim dhe që për fat të keq vazhdon edhe pse kanë kaluar tri dekada demokraci, anipse kohë e mjaftueshme për një reflektim të përgjithshëm e heqje dorë nga stili i manipulimit mashtrues të historisë.
Kam shkruar dhe me pare, por e perseris sepse keta historianët tone janë o syleshë e veshleshë ose ajo qe nuk duam ta besojmë qëllimkëqinj,sepse kur u sjell dokumenta dhe argumenta ata bejne sikur as shohin e as degjojne, por shpikin flamurtar dhe histori të paqena. Nën influencen e ketyre soj historianesh u përfshi edhe vete kryeministri Edi Rama kur në një koment shkroi se Flamurin e Deçiqit e kanë sjellë Coli me Lolin, mërgimtarë përmetar nga Bukureshti. Ai i kish venë emra, por unë nuk ua mbaj mend mirë dhe po i quaj kësisoj.
Bëra nje debat jo fort komod me historianin e nderuar Romeo Gurakuqi që dhe ai është përhumbur në këtë tymnajë duke nxjerr terziun e krajl Nikolles, mbretit të Malit te Zi, si krijuesi i Flamurit të Deçiqit, nje far Gurakuqi, ndoshta fis i vet. Qe ky Gurakuqi i krajlit ka krijuar nje flamur ne nuk e veme ne dyshim, por nuk ështe ai Flamuri i Deçiqit. Sepse nëse historiani i ka ndjekur me kujdes deshmitë historike, atë flamur të terzijeve krajlit e ka marrë në Hot patrioti Terenc Toçi, dhe sipas po deshmive te shkruara madje nëpër libra ai e ka ka ngrit ate flamur më 26 prill 1911 në Orosh të Mirditës ku shpalli "Qeverinë e Kimzës" që nuk pati jetë të gjatë. Vepër që komunizmi, i cili e pushkatoi Terenc Toçin ja mohonte si akt atdhetar duke ja lënë bëmat në harrim.
Ndërkohë që një historian nga Malësia, Lulash Palushaj, ne nje bisedë në televizionin e shqiptareve të Detroitit, e mohon se Flamuri i Deçiqit duke i dhënë vetes siguri se atë e ka krijuar një Gjin a Gjeto, një zot e di. Thuaj sa te duash ti se historia nuk është fikcion, nuk është roman dhe nuk fantazohet, por është kronike dokumentare. Nuk duan t'ia dinë.
Edhe nje shkrim qe sapo lexova rradhiten 5-6 variante të Flamurit të Deçiqit, çfarë tregon se autorët e shkrimeve të tilla vënë të vërtetën në dyshim dhe dyshimet si e vërtetë.
Por le tia leme vendin referencave:
Në librin "Flamuri në Deçiq" i Palok Traboinit, kryengrites i vitit 1911, sekretar i Dedë Gjon Lulit botohet poema e tij "Lufta e Maleve" me afro 1700 vargje shkruar në Prizren në dhjetor të vitit 1911. Poema përshkruan kryengritjen dhe është një kronikë historike në vargje. Po paraqesim momentin e ngritjes se flamurit në Deçiq, por për dijeni, siç thotë një dëshmitar i ngjarjes, autori i poemës historike "Lufta e Maleve" , para se në Deçiq flamuri është ngritur në Traboin, në zemer të Hotit, në Log të Kishës.
Po rradhisin disa fakte, dëshmi e shkrime që kemi arritur t'i qëmtojmë nëpër vite në arkivat dhe kujtesën e njerëzore.

______________________
LUFTA E MALEVE
fragment

Tue krisë pushka shpat e n' shpat
gjimojnë malet lak e n' lak
nji djalë Hotit* vjen prej larg
pa pikë frymë prej Dallmacis,
Dedë Gjo Luli ku e kish nisë
me pru flamurin e Shqipnis.
N'log të Kishsë kur djali a kapë
dy flamurë n' erë ka hapë,
dy flamurë kuq e zi
qindisë n' ar për bukuri.
Aty at-herë Kolë Dedë Gjo Luli
njenin flamur n' bli e nguli
prej të gjithve me u soditë.
pala-pala tuevalvitë.
N' kambë u çuen në shej nderimit
të tanë djelt e Traboinit;
kërset pushka prej gëzimit,
gjithkah hapet brohorija:
“Rrnoftë flamuri e rrnoftë Shqipnija,
orën çuet e ka Malsija!”
Dedë Gjo Luli u çue n' kambë,
tjetrin flamur ja u ka dhanë
djelve t' Hotit e u ka thanë:
“Çonju tash, djelt e mi,
me deke sot për flamuri
se i erdh dita ksaj Shqipni.
Në Deçiq ja u due n' ket ditë
flamurin n' majë me e ngritë.
qi ta shohin krali e mbreti
se bajmë luftë na veç për veti
me qit n'drit Shqipnin n'ditë t'sotit.
tue u djegë gjallë në flakë t' barotit.”
Shpejt u lshuene djelt petrita
e s' ba, drue, dhetë dekika
n' kulm Deçiqit me iu njitë
ku flamurin e kanë ngritë
tue këndue e pushkë tue qitë
prej gazmendit t' asaj ditë.
Ajo ditë mos u harroftë!
por gjithmonë në kangë u kndoftë.
Hoti n' leth e trashigoftë,
se ma i pari vend n' Shqipni
nguli flamrin kuq e zi;
tue derdhe gjakun për liri!
n' ball t' astjerit Osmanlli. 

Prizren, 1911 

* Eshtë vetë autori i poemës P. Traboini. Në poeme jane permendur të gjithë luftetarët kryesor dhe dë@shmoret, djalin e Hotit që sjell flamurin prej Dalmacise nuk e përmend, e natyrshme se është vetë autori.

_____________________
Kronike historike
në librin e PETRAQ PEPOS
“Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912"
FLAMURI 

Në fund të marsit 1912 filloi me u folë se Ded Gjo Luli kishte ndermënd të ngrente për të dytën herë Flamurin e Shqipnisë faqe mbarë popullit dhe kjo t’u kallxonte të gjithëve se lufta që bahej, së bashku me anët e tjera të Shqipnisë, bahej për lirinë e Atdheut tonë.
Disa prej nesh e dijshin se tre flamuj Shqipnije kishin hi në Hot, por të paktë ishin ata që i kishin pa. Secili veç dëshëronte me e pa të shpalosun atë flamur me shqipe.
Palok Traboini në 1911 kishte kthye prej Austrisë e tre flamujt që kishte pru prej andej i kishte nda kështu: njënin Ded Gjo Lulit, tjetrin Ujkës së Grudës e të tretin Prel Lucës së Trieshit.
Ditën e diel, me 6 Prill u mblodh populli i madh te Kisha e Traboinit. Kol Ded Gjoni me urdhën t' et, Ded Gjo Lulit, e hapi flamurin kuq e zi. U ba nji rreth i madh njerzish e Kola tha: “Shiqo popull! Nji ky asht flamuri i Shqipnisë, i kuq me shqipe të zezë me dy krena.”
Të gjithë ndënjën pa za. Mandej u ba nji batare pushkësh e ushtuene malet përreth. Hare ma të madhe s’ ishte pa ndonjiherë ndër hoten. At ditë edhe Dok Ujka te Kisha e Grudës e Prel Luca në Triesh ngritën flamurin e Shqipnisë. 

PËRPJEKJA E SAMOBORRIT

Natën e 11 korrikut 1912 rrethueme Samoborrin dhe e mormë pa lind dielli. Më 12 korrik u ramë 50 nizamëve që po ktheheshin prej Bukoviçit, ku kishin çue ushqim. I qitme fare, gadi krejt, veç disave që ranë në dorë. Mbeten dekun prej nesh Lek Ded Vuji dhe u varrue Zef Met Haxhia. 

PËRPJEKJA E NOKONJELIT 

Në at gjak të nxehtë, mbas një çerek sahati, rrethueme Nokonjelin, nji kodër me istikam përballë Bukoviqit. Mark Ded Gjo Staka, Palok Traboini dhe unë ja mbrrime buzë istikamit. Nji nizam qiti mauzerren për frangi për t’na çartë. Mark Ded Gjo Staka i ndëj gati e i kapi pushkën. Nizami s' e lëshoi, Por Marku, burrë i lidhun i dha vedit e ra ledhi megjithë nizam. Paloka pa lanë kohë ndermjet vrau oficerin turk. Atëherë Hoti u turr nëpër ledh e afër 80 nizamë ranë në dorë se s’ kish kush t'i udhëhiqte. 

Kujtime të Martin Ujkës
Nga libri: "Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912",
Tiranë 1962, faqe 446-44

___________________________________
“HYLLI I DRITËS” Nr. 11, 1937, f. 523
Fragment nga shkrimi i At DONAT KURTI (1903-1983)
FLAMUJ KOMBËTARË NË SHKODËR 

Në verë të vitit 1911 gjëndëshin Gruda e Kastrati të mbledhun në Gradinë tuj pritë ndonjë urdhën të ri. Në ato ditë mbrritën prej Podgorice 12 italianë vullnetarë... Kje në këtë rasë që një farë Pal Gjoni prej Grude e vu një flamur në shtizë të gjatë e ngrehi në Suka të Grudës më gëzim të gjithë malësorëvë, që brohoritshin pa da e qitshin pushkë.
S'asht për tu harrue se në këtë kohë shpëndajnë flamuj kombëtarë ndër malësorë Pjetër Nushi e Kol Ivanaj e ma vonë Karl Prenushi, Zef Kurti, Luigj Kodheli, Simon Prendi, Hiluk Koliqi e Palokë Traboini…*
* shkrimi ka edhe emra te tjerë të shqiptarëve që kanë shpërnda flamur kombëtar në Shkodër.

______________________
GJUSH SHELDIA
1902-1976
"Arsimtarë të vjetër të Shkodrës dhe rrethe" fragment, Shkoder, 3 qershor 1959.
PALOK TRABOINI KJE SEKRETAR I DEDË GJO LULIT 

"Palokë Traboini lindi në Traboinë (sot Jugosllavi) me 1888. Si kreu mësimet fillore e normale, në vitin 1909 u emnue mësues në Prizrend e mandej në Shkodër.
Mësues patriot, porsa plasi kryengritja e Malsisë së Madhe doli në mal për liri, mori pjesë aktive në luftime dhe kje sekretar i Dedë Gjon Lulit. Për qëndrim kundërshtar i regjimit zogist kje pushue nga puna dhe nuk i u dha asnjë e drejtë. Për të mujtë me jetue u ba bujk në Shtoj të Ri. As okupatori nuk i dha fare të drejtë. Vdiq në varfni të madhe në vitin 1951. Ka lanë disa vjersha patriotike të kompozueme prej tij. "

________________________________
Prof. Dr. GAZMEND SHPUZA
"Në prag të Pavarësisë". Botues Palokë Vulaj, Nju Jork 2000.
SHKOLLA E PARË SHQIPE E PRIZRENIT
- fragment- 

Libri me studime historike "Në prag të Pavarësisë" hapet me studimin "Shkolla e parë shqipe e Prizrenit"....prof. dr. Shpuza argumenton se "ky proçes i thellë i kombëtarizimit të shkollës së Prizrenit po kryhej jo rastësisht në një kohë kur Kosova po bëhej rishtazi qëndër e ngritjes së Lëvizjës Kombëtare Shqiptare në kërkim të autonomisë së Shqipërisë..." (fq.9). Prizrenasit nuk ranë pre e intrigave të të huajve dhe si pasojë shkolla shqipe e drejtuar nga një prift serb (prizrenasit më vonë filluan ta quanin padër Magaroviç) dështoi, në rradhë të parë në saj të rolit që luajtën atdhetarë si Mati Logoreci e Lazër Lymezi dhe me vonë Kolë Kodheli, Kolë Rrota, Ndoc Lezhja, Palokë Traboini, Lukë Lukaj e tjerë.

_____________________
PJETËR HIL PALI
Mësues - ish nxanës i ti, i datëlindjes 15.5.1907
NJË NGA PIONIERËT E INDIPENDENCËS E MËSUES I PALODHSHËM 

Një nga pionerët e indipendencës sonë kombëtare plot entusiazëm e me ndjenja patriotike asht kenë mësuesi i palodhshëm Palok Traboini. Ky ka lè në Traboin të Shqipnisë etnike dhe mbasi erdhi në Shkodër, qysh i ri, mbaroi shkollën e mesme e rroku degën e arsimit ku punoi në Shkodër si mësues për shumë vjet. E mbaj mend mirë se ishte mësues i sjellshëm me nxansa dhe na tregonte shumë ngjarje e lufta që kanë ba shqyptarët kundër osmanllinjeve e serbomalazëzve. I ndezur flakë me atdhedashuri shpesh herë la Shkodrën dhe bashkë me shokët e vet shkonte mbas atyre që adhuronte si Ded Gjo Lulit, Prel Kerit e Ndoc Dedës, duke u dallue në shënj ndër të gjithë shokët deri që u fitue liria e dëshërueme.
Një ndër shokët e tij ka kenë Hil Mosi me të cilin ka shkue në Podgorice me nda armët kundër turqëve.
Në vitin 1920 kur serbomalazëzt mësyene në kufi dhe erdhën deri në Koplik, Palok Traboini bashkë me Kolë Ded Jakovën (i ati i Preng Jakovës) dhe mesuesin e paharruar Kolë Laca e plot të tjerë organizuan një forcë vullnetare dhe i dolën armikut përpara të armatosun. Në këtë luftë kanë dhanë jetën shume malesorë e të tjerë, derisa e shporrën armikun prej kufijëve. 

Shkodër, 20 shtator 1984 

_________________________________
Kujtim i GJERGJ GJOKË SHABANIT, 75 vjeç
Shkodër, shtator 1984.
MËSUESIN TIM E KAM PA ME LUIGJ GURAKUQIN 

Ndër të tjera... më mbetët mbresë e ngulitun dhe e freskët ardhja ime në Shkodër nga vendlindja Prizren (Kosovë) në vitin 1917. Vit qe lidhet me hyrjen në klasë të parë me mesues Palok Traboinin, përftyrimin e të cilit e kam të gjallë edhe sot. Me spjegimin e mësimit të bënte për vehte, ndersa me bukurshkrimin të mahniste.
Mësues Paloka ndiqte përparimin e fëmijëve në mësim por edhe jasht shkollës. Mësues Paloka vinte nëpër shtëpia për të vrejtur nëse janë tue mësue apo jo. Kudo gjendej për nxanësin. Ai ishte edhe bujar, nxanësve të varfër ju blinte libra, fletore, bojë shkrimi, pënda e tjerë, me shpenzimet e veta. Ka pas rast që edhe mue më ka ble ndonji fletore.
Më ka rastis, kur kalojshe nga rruga Gjuhadol, me pa mësuesin tim me Luigj Gurakuqin me të cilin njihej, si dhe me arsimtarë të tjerë. Me kalimin e kohës së pjekunisë, kam pas takime e biseda nga më të ndryshmet, me mesuesin tim Palok Traboini, i cili bisedën e përqendronte tek patriotizmi ndaj Atdheut, luftrat, vuajtjet e Malësisë së Madhe, Hotit e Grudës.
Gjithë jetën e tij ja kushtoi arsimit dhe patriotizmit per atdheun, për të cilin kishte luftue dhe që kishte aq dashuri.

____________________________
ANDREA ZEF SKANJETI
Regjisor i Teatrit "Migjeni" Shkodër
Në lidhje familjare me Kol Idromenon

NË KUJTIMET E MIA TË TEATRIT
Ndër kujtimet e mia për teatrin, Palok Traboinin e përmëndi dy herë. Ja teksti pikërisht: 

1. “Banorët e qytetit, të etur për dituri, e mirëpritën ardhjen e ketij të riu të talentuar (A. Skanjeti, i vjetri): Ai nuk u kursye e gjithe jetën ja kushtoi arsimit. Shqipen e mësoi shpejt, përveç gjuhës amëtare, dinte frëngjishtën, greqishtën e pak turqisht. Shtëpia e tij u bë shkollë e konvikt ku mësonin qindra fëmijë të qytetit e të malësive me një pagesë fare të vogël. Njërit prej tyre konviktorëve nga Hoti, mjaft inteligjent si kreu shkollën, i dha për grua të bijën. Ky nxënës quhej Palok Traboini dhe e ushtroi profesionin e mësuesit deri sa vdiq.”
2. “Më kujtohet se kur mbarova filloren, u shtrua një darkë në shtëpinë time, ku ishte ftuar edhe halla Katrine me të shoqin Palok Traboini. Unë dëshëroja të rrija afër hallës që ishte e gojës, gaztore dhe e dashur nga të gjithë. Por dëshira nuk m'u plotësua. Më vendosën me nderim afër mësuesit Palokë. Para se të fillonte dreka, mama Elizë erdh afër meje me një kuti të vogël në dorë.
Kjo është një dhuratë e vogël për Andin(*)
Ishte një penë e punuar në argjënd, që mama kishte përdorur kur ndiqte shkollën në Izmir.
U gëzova shumë për dhuratën e bukur.
- Kjo penë do të frymëzojë të shkruash një dramë tjetër edhe më të goditur se “Kusarët” - m' u drejtua mësuesi Palokë.”
Në lidhje me figurat historike, unë nuk kam shënuar asgjë në kujtimet e mia. Me Kolë Idromenon dhe Hile Mosin sigurisht ai (Paloka) ka pase lidhje si dhe me mësues të tjerë të asaj kohe.
Ai në shtëpinë tonë e të Idromenos ka hangër bukë sa herë dhe unë në shtëpinë e tij kam shkuar shumë herë. Ai vinte tek unë në dyqan dhe unë i kam shkruar shpesh me makinë letra. Si mesues ka dhanë mesim ndër fretën dhe shtëpinë që ka pas në Shtoj e ka pas bërë shkollë ku mësonte fëmijët e Hotit të Ri. 

13 shtator 1984

__________________________
PALOK PRELE VUÇETAJ
77 vjeç
TË NGJAMEN E FLAMURIT E DI KËSHTU:
- fragment -

U vonue me u projektue e punue në ndermarrjen artistike të Vjenës së Austrisë. Tuj pa se flamuri vonoi, çoi Deda Kolën djalin e vet përsëri në Austri e atje u muer vesh se asht tue u punue e ala nuk ishte mbarue. Ishin në Cetinë bashkë me Hil Mosin e Luigj Gurakuqin e u thotë Deda, si me ba o burra , nuk asht çajre pa bajrak, se atëherë i thojshin bajrak, se kur s' ke flamur, thotë Deda, nuk dihet se pse luftojmë. Prandaj ndërhyn tek Gjon Gjokola e te terzija i Krajl Nikollës së Malit të Zi.
Por erdhi lajmi që delni priteni flamurin se asht nis prej Vjene. Prandaj Deda filloi luftën, e tue qënë se nuk mund të lente shokët por as luftën vetëm, përcollën Palok Traboinin me e prite në Kotorr. Ai e pruni në Hot. Vazhdoi e mbaroi lufta e atë flamur e ka ruejt në arkën vet Nore Kolja ( gruaja e Kolës, të birit të Ded Gjo Lulit,)deri që filloi lufta e dytë botnore. Qe pra at flamur as Zogut nuk ja dorzoj Nore Kolja deri në 1939. Kur prejt friget të Italisë, se po ja marrin e po ja humbin, çoj me e strehue tek kleri katolik, aty ku u zhduk e nuk u pa kurr ma flamuri që prunë prej Vjene. Në pranverë të vitit 1912, Deda qiti xhevap në të gjithë malet që kush donte me e pa atë shënj Shqipnije e që nuk e ka pa kurrnjihërë, të dilte e ta shihte ditën e diel. Aty u bashkuene gjithë malësia. At flamur e kanë hap dy burra në një vend të nalt e njerzija thojshin se gja ma të bukur nuk kishin pa ndonjëherë. E Palok Traboini kaq patriot i flaktë ishte sa ka qitë në atë festë 12 teneqe spirto (raki-mastikë) që zejshin nga 18 kile secila, e atë duhej me e pre katërsh me ujë që u bajshin them nja 800 kile pije. Filloi pija alkolike. Brohore e madhe sa nuk ka festë a dasëm ma të madhe, por siç thamë ai flamur u zhduk e tash fotografia e tij shihet në muzeun e Ded Gjo Lulit.
Për Palokën ka gjithçfarë të dhanash e asht zor me i ku
jtue të gjitha. Shtoj se i thosha mbas çlirimit në Hot të Ri:
"Pse nuk shkruan për të dhanat e tua?».
E kishem fjalën edhe për me ju njohtë meritat e me i lidh ndonji pension që nuk ja dhanë kurrë sa ishte gjallë, por ai më thoshte i menduem:
"Unë nuk kam ba ndonji gja të tepërt, por kam ba detyrën si shqiptar. Me punue e me luftue për Atdhe e ka detyrë gjithësekush!".
Kështu pra i kishte përgjigjet Palok Traboini, kështu i kishte qëllimet e punët më të mira që ka shqiptari. 

Shkodër, korrik 1984

___________________
PRENK GRUDA
1912-1999 / Florida USA
DITARI I NJË ZEMRE TË LËNDUEME
Mësuesi i parë nga Hoti i burrave kreshnikë

- fragment -

Shkodër,me 25 prill 1940
"Takova edhe shkollarin e mësuesin e parë nga Hoti i burrave kreshnikë, Palok Traboini. Ky asht luftar veteran për liri së bashku me Dedë Gjon Lulin me shokë. Paloka me nji trup të lidhun mesatar e pamje burrnore asht mësues i vjetër, atdhetar tejet, zemërpërvluem për Hot e Malsi të Madhe, për Kosovën e Shqipni Etnike. Ankon mungesen arsimore anëkand trojeve Shqiptare, sepse ky mendon se arsimi asht çelsi i jetës, i përmirsimit e përparimit të njerëzve. Pa arsim, jeta s'ka kuptim, thotë Paloka.
U gëzue shumë për kthimin tim në Normale t'Elbasanit. Ti je i vetmi djalë Grude qi po bahesh i pari mësues, ashtu edhe unë jamë i pari arsimtar nga Hoti dhe Malsia e Madhe, por kam qenë kambëmbarë mbasi nga Hoti jonë tash janë mësuesa: Pjetër Palaj , Gjergj Martini, Mark Frani Marketa, Pjetër Gjoni e Frano Preçi. Uroj të jesh edhe ti pris i mbarë, më tha, tue më shterngue dorën e djathët. Mandej vijoj: Gruda ua kaloi të gjitha maleve tona me motrat tua të parat femna malsore tue u shkollue. Fat e nder e madhe, qofshin prise të mbara për male tona gjithmonë me pushkë përfaqe tue ruejtë lirin e trojeve të veta kundër shkjeve e turqve. A po jo? “Hot e Grudë jan betue, pa gjak malet mos me i lëshue...!}”.
Ajo kohë, me huta e shpata ka kalue në histori, na duhet të përqafojmë arsimin tha Paloka menduesht;nga emocioni i trojeve tona ndër kthetrat skllavo greke!
Qesh në Shkodër me mision sekret: Çojsha nji letër te Lef Nosit për Patër Anton Arapin. Kam qënë për shumë kohë ndërlidhës i tyne.
(Pjesa e ditarit 1939 dhe katër muajt e parë të vitit 1940, kopje-dorëshkrim, ju dhurue prej autorit Prenk Gruda, që jetonte aso kohe në Florida, të birit të Palok Traboinit).

________________________
GJERGJ NIKPRELAJ
Në librin “KRYENGRITJA E MALËSISË E VITIT 1911”
- fragment -

“Dedë Gjo Luli, nji nga figurat më të ndritura, pas vdekjes mori përmasa të merituara kombëtare gjithnjë e më të mëdha në historinë, publiçistikën dhe artin figurativ shqiptar të autorëve si: Gjergj Fishta, Risto Siliqi, Hilë Mosi Sterio Spasse, Sander Gera, Palokë Traboini, Pal Doçi, Ismail Kadare e shumë të tjerë.”
Gjergj Nikprelaj: "Kryengritja e Malësisë e vitit 1911“, faqe 123, Gjonlekaj Publishing Co. Nju Jork 2004.

___________________________
Prof. GJOVALIN SHKURTAJ
NE BIJT E XHUBLETËS
- fragment -

Vepra e Palok Traboinit “Lufta e maleve”, poemë, Prizren 1911, meriton jo vetëm të lexohet nga brezi i ri, por edhe të studiohet, të komentohet e t’i bëhet vendi që i takon në historinë e letërsisë shqiptare. Për fat të keq, pjesa e kësaj letërsie që është shkruar me gjak burrash të vyer, ka mbetur ende në t’errët ose është lënë mbas dore. Kjo padrejtësi ka ardhur koha të ndreqet.
Kam mendim shumë të mirë për mjeshtërinë e të shkruarit të Palok Traboinit. Ai shkruan me gjuhë të bukur e të pastër, me fjalë të ngjeshura me kuptime e me figura të vetvetishme, përdor fjalë që të bëjnë ta duash e ta ngulësh në zemër shqipen, larg fjalëve të huaja të panevojshme, larg slloganeve e stampave të pavlefshme, që mjerisht po na i “servirin” me denduri shumë gazetarë e gojëtarë të sotëm në gazetat e mediat tona të folura.
 
Tiranë, 29 Gusht 2006

___________________
FRAN CAMAJ
Shkrimtar, Tuz
DED GJO LULI NE POEMEN “LUFTA E MALEVE” E PALOK TRABOINIT
- fragment -

Poema “Lufta e maleve” edhe pse nuk është e nivelit të “Lahutës së Malcis’”, meriton të gjejë vend në antologjitë e letërsisë shqipe e mos të them në tekstet shkollore në të cilat mësojnë fëmijët e këtyre trojeve. Po edhe pse nuk gjenden në tekstet shkollore, a nuk është obligim i arsimtarëve të gjuhës dhe letërsisë shqipe, që t’u lexojnë fëmijëve pjesë nga kjo vepër dhe nga veprat e ngjashme? Në mos në orët e rregullta të mësimit, në orë plotësuese, në orë letrare etj. Së paku kaq mund ta bëjmë.
Mund të flitet ende për Palokë Traboinin, por edhe një pyetje vetes dhe juve: A thua se nuk do të ishte mirë që njëra prej shkollave tona fillore ose mesmja, në vend të emrave ideologjikë dhe të tejkaluar (“Jedinstvo”, “Mahmut Lekiq”, “29 Nëntori”, “25 maji”) të mbajë emrin e këtij mësuesi dhe punëtori të palodhshëm të arsimit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Besoj se përgjigja është e lehtë dhe çdo koment do të ishte i tepërt. 

Tuz, më 24.09.2004 

______________________
Dr. FATMIR TERZIU
Shkrimtar dhe studiues Londër
PLASTICITETI I VEPRES SE PALOK TRABOINIT
- fragment -

Në një nga shkrimet-esse të tij, pikërisht në artikullin “Gjinia e Kombit Shqiptar”, botuar në gazetën “Bashkimi” në Shkodër më 17 dhe 24 Prill 1910, Palok Traboini shkruan me gërma korsive: “ne shqiptarët tash katërmijë e ma shumë vjet kemi qëndrue mbi tokë, tuj mbajt përherë gjuhën, mendimin, karakterin, dokët, trimëri
në fisnikërinë, të dashtunit e lirisë që lumtunisht na rrjedh prej Pellazgëve të parëve tanë”. Dhe në këtë kontekst, në këtë teoremë empirike të mësuesit të lavdishëm shqiptar, që në shënimin e librit kushtuar atij gjejmë pretencën morfologjike të tingëllojë qartë, ngeshëm dhe qashtër për motivin e një rruge me emër domethënës, edhe pse ka një dimension total kriptik dhe optimistik. Eshtë bagazhi që gjendet në gjuhën e përdorur, gjuha e përzgjedhur që krasitet nga njohuria dhe panorama e saj sintaksore. Një plasticitet artistik kumton tërë korrektesën që dëshpërohet nga rrethimi natyral i një ndjesie që vjen nga shekujt si një fakt: “na shqiptarët pa fije vesvese jemi komb ma i vjetër se grekët e se të gjithë fiset e tjera që deri më sot njihen prej historisë në Europë”. (Traboini, 11 Prill 1910). Më tutje një një mesazh për “ata që flasin gjuhën shqipe, që rrjedhin prej fisit tonë e që janë një gjaku me ne, ti duem e t’i kemi në hatër, çdo feje e çdo bese që të mbahen…”
Në anën tjetër trajtimi poetik i figurave historike shqiptare si Dedë Gjo Luli, Çun Mula i Hotit (1818-1896), Gjel Çaku, Deli Meta, Mirash Lucë Kastrati, Gjelosh Gjoka, etj., natyrshëm rrëfejnë lirshëm se krijimtaria e Traboinit është e mirëfilltë dhe mbart vlera. Vlerat e veprës së Palok Traboinit ngjeshin skutat e historisë dhe ndjehen krenare, mbasi vitet sollën dritë mbi to dhe e vërteta sot flet ndryshe dhe qartë. Gjuhën që ata kanë sjellë në sonduqe severgjeni e meritojnë sot si një respekt dhe si një detyrim fisnik për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e kombëtares që mbruhet dhe ushqehet në melosin dhe trashëgiminë e ardhur pastër dhe ndjeshëm në ditë tona.
Duke rrëfyer me penën dhe mendjen e Palok Traboinit, mendoj se nuk ndjehesh i mangët në gjuhën tënde, nuk ndjehesh sakat në fjalinë dhe poezinë tëmde. Tek vepra e Traboinit mjafton të gëlltitësh një lugë të vogël nga hojet e saj dhe kurimi bëhet më i ndjeshëm se mjalti natyral, që miliona zgjoje e gatuajnë me polenin e dhuruar nga Zoti. Zoti deshi që ky mjalt të na mbërrijë në duart tona.

Londër, 18 Gusht 2008

_____________________
ANTON GOJÇAJ
Shkrimtar / Tuz
VEÇORITË EPIKE TË TRABOINIT
(Palok Traboini, Flamuri në Deçiq 1911, Tiranë-Boston 2012)
- fragment -

Poema “Lufta e maleve” është edhe letërsi, edhe histori... sepse është e shkruar nga një pjesëmarrës i ngjarjeve që përshkruhen, pothuaj të gjitha personazhet janë personazhe
historike (Ded Gjo Luli e Dergut pasha, Nikë Gjeloshi e Deli Meta, Kolë Marash Vata, Mirash Luca, Çun Mulja e shumë të tjerë) dhe në këtë segment kjo arrin statusin e “besueshmërisë” që kanë këngët popullore historike... Si parantezë dua të rikujtoj se krijimet letrare u nënshtrohen kritereve të së vërtetës letrare që, në kuptimin teorik (nuk është e domosdoshme por) mund të dallojnë nga e vërteta objektive historike dhe për këtë nuk mund të atakohen. Me fjalë të tjera, letërsia gëzon imunitet të plotë në raport me historinë dhe nuk mund të akuzohet për shkallën e besnikërisë ndaj ngjarjes në tërësi apo ndonjë fakti të veçantë...
Libri "Flamuri në Deçiq 1911" është një përmbledhje e krijimtarisë publicistike dhe letrare të Palok Traboinit. Kapitujt janë kompozuar sipas zhanreve a tipologjisë së shkrimeve:
- Kapitulli "Publicistika 1910" - përfshin nëntë artikuj të Palok Traboinit, botuar në gazetën "Bashkimi" të dom Ndoc Nikajt, në periudhën kohore mars-maj 1910. Artikujt promovojnë pikëpamje emancipuese drejtuar bashkëkombësve në prag të pavarësisë. Pena e tij prek sidomos dy pika të rëndësishme: e para ka të bëjë me popullarizimin e tezës për origjinën e lavdishme pellazgo-ilire të shqiptarëve dhe e dyta me denoncimin e disa veseve të bashkombësve - bashkëkohës të tij, siç janë vrasjet për "inad besimi", apo edhe hakmarrja me pabesi, ku si ilaç rekomandon "lidhësinë" gjithëkombëtare, duke marrë si model bashkëjetesën shembullore të "kristianëve" dhe "muhamedanëve" në Malësinë e Madhe për vesin e parë, kurse ndërgjegjësimin për pasojat e rënda dhe dëmin e shumëfishtë që me veprime të tilla primitive i shkaktohen substancës kombëtare për vesin e dytë.
- Një panoramë epike, e shkruar nga pjesëmarrësi i ngjarjes
"Lufta e maleve" është një poemë historike, me mëse 1600 vargje, e shkruar në vitin 1911 dhe e botuar pjesërisht në vitin 1962, ndërsa e plotë në vitin 1995. Ajo ngritet mbi bazamentin e poetikës tradicionale, me frazeologji deri diku të stilizuar folklorike.
Palok Traboini nuk shkruan vetëm për hir të artit. Megjithëse shumë i ri në moshë, ngjarjet me peshë epokale që zhvilloheshin në vendin e tij nuk i lanë shteg as kohë për të eksperimentuar me format moderne të poezisë, as të shkruajë vargje të ndjeshme dashurie apo meditime ekzistencialiste-filozofike për kuptimin e jetës së njeriut, por talentin dhe krijimtarinë e vet u detyrua ta vëjë në shërbim të qëllimeve madhore idealiste - për vetëdijësimin dhe përndriçimin e mendjeve të bashkombësve të vet - në një moment kohor me përgjegjësi afatgjatë historike. Poemën dhe në përgjithësi krijimtarinë e Traboinit duhet vlerësuar, pra, në kuadrin e ambientit historiko-sociologjik të cilit i përkiste, në kontekstin e vendit dhe rrethanave ku ajo shkruhet - në një zonë kufitare të Perandorisë Osmane, që vlonte nga luftrat çër çlirimin politik por edhe kulturor të popujve të nënshtruar dhe shumë më pak në dimensionin e një krahasimi eventual të poetikës së saj në raport me rrymat letrare që në fillim të shekullit XX lulëzojnë në shtetet e Europës Perëndimore. Poema në fjalë ka elemente përngjasimi me "Lahutën e Malcis", në planin e ndërtimit të vargut tetërrokësh, pastaj të përfshirjes së vargjeve të tëra të ndonjë kënge popullore siç është këtu rasti me disa vargje për Çun Mulën, pastaj prania e disa figurave tipike të poemës epike siç janë psh invokacioni, pyetja retorike, përshkrimi me shumë plasticitet i skenave të luftës etj.

Gazeta "Koha javore" Nr. 544, 545, 6 dhjetor 2012, Podgoricë.

________________________
MR. ENVER BATIU - historian.
KUSHTUAR PALOK TRABOINIT, MËSUESIT TË PRIZRENIT

Duke shfletua botimin : "1911 Flamuri në Deçiq", nga tv.ndegjoja se kryetari i Serbisë iu drejtua Akademikëve të shtetit Serb për të ndihmua se si të zgjedhim problemin e Kosovës. Neve na ndodh e kundërta: Kemi njerëz të mençur, patriot, të arsimuar dhe të përkushtuar pakushtimisht për ruajtjen e trojeve shqiptare- tokës, gjuhës dhe trashëgimisë, siç ishte Palok Trabuini, dhe i lamë në harresë thua se nuk kanë ekzistua kurrë. Pyes: Si është e mundur që 100 vjet shtet dhe pak vjet shtetin e dytë shqiptar dhe assesi të mos merremi vesh e tu japim vendin meritor atyre që ndershmërisht dhanë për atdheun terë qenien e tyre. Ku është ndërgjegjja jonë kombëtare dhe gjerë kurë do të vazhdoj kështu?.
Për ngritjen e flamurit në Deçiq me 1911 kemi mësua nga historia. Por, kush ishte ai që i qëndroi gjithnjë pranë Dedë Gjo Lulit edhe i plotësoi, ati, pjesën intelektuale. Kush iu gjind në momentet më të vështira të kësaj kohe, do ta mësojmë nga ky libër, të cilin, po e promovojmë me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë. Ky djalë Hoti ishte Palok Traboini. Ky ishte mësuesi, poeti, luftëtari, sekretari i Dedë Gjo Lulit, një nga gazetarët e parë shqiptar e për prizrenasit ishte edhe nder mësuesit e parë të shkollës shqipe në Prizren, i cili qysh se i ri iu bashkëngjit atyre për të hapur dijen dhe kulturën në zemrën e trojeve shqiptare. Paloku me shumë guxim iu bashkëngjit mësuesve legjendar Mati Llogoreci dhe Lazer Lumezit në shkollën e parë shqipe, kur dështoi përpjekja e mësuesit serb Magaroviç për të mësua fëmijët tanë vetëm në gjuhën serbe. Ishte koha kur zhvillohej procesi i thellë i kombëtarizimit të shkollës së Prizrenit e e cila po bëhej jo rastësisht në kohën kur Kosova po bëhej edhe një herë qendër e ngritjes së lëvizjes kombëtare shqiptare në kërkim të pavarësisë së tokave shqiptare. Pra, pranë mësuesve atdhetarë si Mati Logoreci, Lazar Lumezi, Kolë Kodheli, Kolë Rrota, Ndoc Lezhja, Lukë Lukaj në qytetin e Prizrenit, në këtë kohë, shëndrrite edhe figura emblematike e Palok Traboinit.

Prizren, 21 nëntor 2012 

_____________________
DOK. NEXHAT ÇOÇAJ
Bashkë me librin "Flamuri në Deçiq", Prizrenit po i kthehet edhe mësuesi Palok Traboini
- fragment-

Interes të madh për letërsinë shqipe është poema "Lufta e maleve" e shkruar në Prizren në vitin 1911, të cilën poemë autori ia kushton Kryengritjes së Malësisë së Madhe, në të cilën kryengritje ai ishte pjesëmarrës. Kështu duke qenë ai aktiv në ato ngjarje, përmes 1700 vargjeve flet për ngjarje reale dhe luftëtarë realë në krye të të cilëve është Dedë Gjo Luli, që për një kohë të gjhatë mësuesi Palok kishte qenë sekretar i tij.
Gjithsesi në këtë poemë moment të veçantë zë ngjarja kur Ded Gjo Luli u kërkon djemve të shkojnë e të vënë flamurin e Skënderbeut në Deçiq
Gjatë leximit të këtij libri, pata kënaqësinë që të njihem me shumë ngjarje që ne në Kosovë nuk kemi pasë mundësi t'i lexojmë, për shkak të ndarjeve të padrejta që i përjetoi Kosova dhe thënë realisht, në literaturën tonë emri i mësuesit Palok Traboini mungoi për kohë të gjatë. Mbase akuzat që ia mveshën këtij mësuesi ndikuan që edhe në Kosovë të mos i përmendet emri i këtij atdhetari.
Fare në fund, më duhet të them edhe një fakt se me sa pashë në faksimilet e dorëshkrimeve t autorit, shihet një kaligrafi e rrallë, të cilin mund ta hasim vetëm te Shtjefën Gjeçovi dhe gjenerata e tij, të cilës i përiste edhe mësuesi Palok Traboini.

Prizren, 21 nëntor 2012 

_________________
GJOK LULI
Në librin "Kastrati

Palok Traboini ...do të mbetet një figurë e nderuar e popullit të Kastratit për kontributin me pushkë dhe penë që i dha ai kësaj zone e sidomos për poemën kushtuar trimave kastratas.
“Kastrati“, "Camaj-Pipa“ Shkodër 1999, faqe 68.

_____________________
Prof. Asoc. Dr. ZAHO GOLEMI & M.Sc. AURORA GOLEMI
Epopeja e heroizmit në 1700 vargje tek poema “Lufta e maleve
- fragment -

Dëshmitë dhe kronikat e shtypit të kohës, janë trashëguar deri në ditët e sotme në poemën luftarake “Lufta e maleve” me 1700 vargje, nga Palokë Traboini, ku jepen përmasat e figurës shumë popullore të Dedë Gjo Lulit: “Kjo Malsia kur ndigjoji/Dedë Gjo Lulit fjalë i çoi/çoi me e thirrë e me e pyet’/Dedë Gjo Luli trim dai,/qi s’i lë shoqi n’Malsi/bashkë me fise ban davi/Unë i herë, thom sa për veti,/armët e brezit nuk i hjeki..”. 

Revista “Mbrojtja” Viti i 81 i botimit, nr. 4/ prill 2012 f. 48- 51

____________________________
Prof. GJON FRANI IVEZAJ
Pavarësia e Shqipërisë dhe trojeve shqiptare
- fragment -

Malësorët sypatremur si fatosa të lirisë, të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Trieshit e Kojës, me në krye trimat: Dedë Gjon Lulin, Sokol Bacin, Nikë Zekën, Prek Calin, Tomë Nikën, Nikë Lekën, Gjelosh Gjokën, Pretash Zekën, Palok Traboini etj., ishin pushkë e gatshme e mbushur me barut, për trojet etnike shqiptare.

_____________________
NIKOLLË LOKAJ
Gazeta “Mirdita” 26 janar 2914 f.4 
“Historia e arsimit në Mirditë, nga Vela në Orosh dhe Perlat”.

Në vitin shkollor 1925-1926 u hap Konvikti “Mirdita” me drejtor Kolë Dema që kishte punuar më parë mësues në Orosh. Mësues atë vit qenë Palok Traboini e Cin Ç
apeli.

E vërteta mbi Flamurin e Deçiqit - nga Kolec Palok Traboini

E VËRTETA MBI FLAMURIN E DEQIÇIT Nga Kolec Palok Traboini  Na ishte një herë një flamur, na ishte një herë një flamur, një mal e një majë, ...