BIOGRAFI SHQIP/ ENGLISHPUBLICISTIKË POEMËSHKRIME MBI P. TRABOININPËRKUJTIMORE PRIZREN 2012 PËRKUJTIMORE TUZ 2012 FOTO

NË EMËR TË ATIT…

Dy fjalë për një jetë, bashkë me një mirënjohje si hyrje:
Palok Traboini ka lindur në prill të vitit 1888 në Traboin të Hotit, në trojet që ndodhen në shtetin e Malit të Zi, në një familje që i takon fisit Gojçaj. Ka mbetur jetim në moshë të vogël dhe e ëma Nora, gjendur në varfëri, deshi ta çonte në Shkrel tek gjinia e vet, por vojvoda i Traboinit Dedë Gjo Luli, që kishte mendimin për të shkolluar një njeri nga Hoti, ku të gjithë ishin analfabetë veç priftit, ndërmjetëson dhe e dërgon në Shkodër, në ShkollënTregtare Italiane, e ku ky vogëlush hotjan do të jetonte në shtëpinë e profesorit zemërmirë Andrea Skanjeti ( i vjetri), italian ky i martuar me një vajzë shqiptare, atë bukuri qytetare shkodrane që tashmë të gjithë e njohin si Xhokonda shqiptare, Motra Tone e Kolë Arsen Idromenos.
Ded Gjo Luli, Deli Meta.
pas Deli Metës,
Palok Traboini.

Me të mbaruar shkollën në vitin 1908, në pamundësi për të vazhduar studimet e larta për gjuhësi, siç aspironte, kish arritur të mësonte 5 gjuhë, me ndërmjetësimin e Kolë Idromenos emrohet mësues në shkollën e fretënve. Po këtë vit martohet me vajzën e profesorit të vet, Katrinën, çfarë e afroi familjarisht me rrethin e elitës aristokrate shkodrane, bartëse e kulturës dhe traditave që prej kohës së venecianëve, se Shkodra dihet, ishte një Venecia e vogël, madje e ngjashme edhe nga rrethimi me ujra; tre lumej e një liqen përreth qytetit që frymëmerrte prej daljes përmes Bunës në det, duke u bërë qendra tregtare ndër më të njohurat në Ballkan..
Shërbeu si mësues në Prizren në vitet 1910-11 dhe u gjend në mes të luftëtarëve në Hot kur nisi kryengritja e Malësisë së Madhe më 24 mars 1911.
Dedë Gjo Luli, të cilit i shërbente si sekretar (sipas shkrimeve të Gjush Sheldisë që mbajnë vitin 1959), duke qënë se ishte i vetmi hotjan i shkolluar, njohës i shumë gjuhëve dhe i pari mësues i Malësisë së Madhe, e ngarkon me detyrë të sjellë flamurin kombëtar të porositur muaj më parë nga Kolë Ded Gjo Luli gjatë një vizite që kishte bërë në kancelaritë e oborrit perandorak në Vjenë. Por, disa hotjanë të moshuar, luftëtarë të kryengritjes antiosmane, thonin se flamuri ishte porositur në një puntori artistike të kryeqytetit perandorak me përkujdesjen e pretendentit si pasardhës i heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti - Skënderbeut. Ky pretendent për kurorë në Shqipëri që mbante një emër të gjatë aristokratik Juan Alardo Castriota de Perez y Valesco, më herët kishte patur lidhje me Faik Konicën, por më pas shkrimtari yne e kishte satirizuar thekshëm.
Ded Gjo Luli me të birin Kolën
Flamuri që solli Palok Traboini është pikërisht ai që njihet si “Flamuri i Dedë Gjo Lulit “ dhe është fiksuar në fotografi nga Kel Marubi me shënimin “Flamuri që u ngrit në Deçiq”. Ai flamur është shpalosur së pari tek Kisha e Traboinit në Hot, dhe luftëtarët …’e ngritën disa herë në Majën e Bratilës, duke i paraprirë kështu shpalljes së pavarësisë e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar në Vlorë me 1912”.(sipas Prof.dr. Gjovalin Shkurtaj, 2002).
Ish mik e bashkëluftëtarë me poetin Hil Mosi, tribunin Luigj Gurakuqi, shkrimtarin e botuesin e shquar Dom Ndoc Nika, me luftëtarë si Prel Keri e Ndoc Deda, i afërt shpirtnisht e familjarisht me Kolë Idromenon, inxhinjerin Zef Skanjeti e Jak Zorbën, koleg me mësuesit Mati Logoreci, Lazër Lymezi, Kolë Kodheli, Kolë Rrota, Ndoc Lezhja, Lukë Lukaj, Kolë Laca, Pjetër Pali (mësues ekzekutuar nga diktatura menjëherë pas luftës së dytë botërore) e tjerë.
Ka qënë një prej bashkëpunëtorëve të gazetës “Koha - Bashkimi“, Shkodër 1910, ku gjenden koleksionet e shkrimeve, të cilat bashkë me poemën epike “Lufta e maleve“ për kryengritjen e vitit 1911, përbën krijimtarinë e tij të zbuluar deri më tash, si autor i para pavarësisë.
Është propozuar për t’u dekoruar pas vdekjes nga veteranët kombëtarë të Hotit të Ri, në vitin 1962, si luftëtar për pavarësi, por edhe si i pari mësues i Malësisë së Madhe, por Kuvendi Popullor i atëhershëm e ka lënë në harrim, ashtu siç vazhdojnë ta lënë në harrim edhe sot e kësaj dite shtetarët mentarë të kohrave të reja, edhe pse demokracia shumë gjëra i ka rishikuar për të shmangur denigrimet e qëllimshme historike.
Në dosjet e Degës se Sigurimit të diktaturës komuniste në Shkodër, shumë kohë e deri në vitet 70, ka qëndruar e shkruar shpifja (e sajuar pas vdekjes) se Palok Traboini ka marrë pjesë në vrasjen e militantit komunist V. Shanto në Vrakë me 1944, kur dihet se mësuesi kryengritës e luftëtar i pavarësisë ishte nga ata burra, që as mund të bashkëpunonte me pushtuesit dhe as mund të vriste prapa krahësh. Qëndrimi ndaj pushtimit fashist, (thënia e tij bashkëpunëtorëve të fashizmit se: duhej vrarë e jo pritur me lule Viktor Emanueli i III-të), si dhe rasti ballë për ballë me ushtarakun Alush Lohja në Luftën e Koplikut 1920, e mishëron më së miri karakterin e Palok Traboinit.
Luftetarët e Deçiqit në një foto të Marubit. Në mes tyre Mirash Luca i Kastratit( ndënjur në mes) dhe Palok Traboini( djathtas pas, ulë në karrige).
Shpirti, idetë e atdhedashuria e zjarrtë i kanë mbetur derdhur në esè e vargje, ndërsa trupi i luftëtarit që kish marrë edhe plagë, më 14 korrik 1951 shkoi të pushojë në Rrmaj, në varrezën katolike të Shkodrës, ku tashmë ndodhet bashkë me të shoqen Katrina Skanjeti-Traboini, ajo grua trupvogël, e zgjuar, e kulturuar, ajo besimtare e devotshme; tezja e Arqipeshkvit të Kishës Katolike Shqiptare Dom Ernest Çoba, i vdekur në burgjet e diktaturës, si dhe e poetit të mirënjohur shkodran Bep Zorba, nëna e të cilit, Elena, ishte motra e, drite pastë, Dadës sime Katrinë, figurën e të cilës kurrë nuk e ndaj nga vetja. Është pjesë e jetës, ndoshta edhe pjesë e varrit. Botimi i këtij libri, gjithësesi është një kontribut modest për njohjen e vlerave të mësuesit, poetit dhe luftëtarit të dy luftrave kombëtare Palok Traboini për faktin se shumë dokumente historike e shkrime në faqet e shtypit ende nuk janë gjendur dhe dëshmitarët që e kanë njohur nuk janë më.
Por, falë librit të çmuar të Petraq Pepos, shkrimeve historike të At Donat Kurtit, kujtimeve të botuara apo të lëna tek unë, të luftëtarit kryengritës Martin Ujk Çeku-Traboini, regjisorit të mirënjohur Andrea Skanjeti që ruajti dhe ma dorëzoi kopjen e vetme të poemës së humbur “Lufta e maleve” të vitit 1911 të Palok Traboinit, falë fondit të çmuar të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë ku m’u vunë në dispozicion numurat e gazetës “Koha-Bashkimi”,Shkodër, të vitit 1910 dhe revista “Hylli i dritës”1937, falë thesarit tonë kombëtar Fototekës “Marubi”, që në vitin 1982 më dha mundësinë të gjej fotografitë e tim eti në fondin e saj, e, për të mos i harruar, ish nxënësit e tim eti e miqtë e tij në të gjallë si Pjetër Hil Pali, Gjergj Gjok Shabani, Palok Prel Vuçetaj, Kolë Duku dhe Preng Gruda që më vunë në dorë dëshmitë e dorëshkrimet e tyre.
Të gjithë këta dëshmitarë e dashamirës nuk rrojnë më, ndaj më mbetet që në krye të këtij libri t’i kujtoj me nderim sepse, pa dëshmitë e tyre, ndoshta kurrë nuk do të kishte një libër për Palok Traboinin, nga fakti se kërkimin e kam nisur veç nga një faqe e bardhë mbi të cilin shkruajta vetëm emrin e Atit. Ajo ishte gjithçka që njihja, gjithçka që kisha, sepse jeta më përplasi në shtëpinë e fëmijëve jetimë, e streha jonë në rrugën Badra u shkatrrua, pa shpëtuar dot as dhe një fotografi apo një libër pa lè për relike të tjera, pra asgjë veç emrit, çdo gjë tjetër ështe vepër e zemërmirësisë së njerëzve që e kanë njohur nga afër, çfarë mua birit të tij, fati që përcakton udhët njerëzore nuk ma dha.
Mirënjohje të veçantë për botimin e këtij libri iu shpreh:
Prof. doktor Hamit Boriçit, Tiranë, që është konsulent i këtij libri dhe njëkohësisht pedagogu im në auditoret e Fakultetit të Gazetarisë, shkrimtarit e studiuesit Fran Camaj, Tuz, Prof.dr.Gjovalin Shkurtaj, Tiranë, Prof.dr. Gazmend Shpuza,Tiranë, editorit të gazetës “Illyria” në Nju Jork, Dalip Greca, hulumtuesit të zellshëm të historisë kombëtare Gjergj Nikprelaj, analistit e art-disinjatorit Arben Çokaj, Gjermani, Gjokë Lulit në Kastrat,Vasil Qesarit e Luan S. Ramës në France, e, kurrsesi pa lënë në harresë Gjergj Camajn e Gjok Gojçin, drejtues të shoqatës “Ded Gjo Luli”, të cilët më dhanë rastin që si bir i Palok Traboinit të përshëndes e të mbaj një kumtesë në 95 vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe në sallën e restorantit të atdhetarit hotjan Gjergj Dedvukaj në Nju Jork.
Në ato çaste, në atë sallë ku ishin mbledhur bijtë e Hotit të ardhur nga të dy anët e kufirit, që i ndau më 1913, më shkoi mendja të përshëndesja edhe në emër të tim eti, por ngurrova nga droja e një keqkuptimi sepse, si mund të përshëndetet në emër të të vdekurit, mirëpo kur lexova një libër me kumtesa, botuar në Tuz me rastin 90 vjetorit të vrasjes së Dedë Gjo Lulit, ku ndesha një citim të studuesit Nikoll Berisha, e kur m’u kujtuan sentencat filozofike për lidhësinë e breznive tej e përtej vdekjes, të Nikolla Kazanzaqit tek “Asketika”, thashë se duhej ta kisha bërë, e duhet ta bëj me këtë rast, sepse “të vdekurit flasin me gojën e të gjallëve”, ndaj për sa më sipër përmenda me mirënjohje, i falenderoj edhe në emër të Atit, sepse: jeton e mbijeton Ati - sa kohë që gjallë është i biri…

KOLEC PALOK TRABOINI

Boston-Tiranë, shtator 2006
Çun Mula i Hotit,- në qënder Marash Uci me krenët e Hotit, - dhe djathtas Pretash Zeka i Kojës.



_________ _________ 
 


REFLEKSE NË PUBLIÇISTIKËN E PALOK TRABOINIT

REFLEKSE NË PUBLIÇISTIKË NE PALOK TRABOINIT





Prof. dr. HAMIT BORIÇI

1.
Palok Traboini është një prej publiçistëve të parë, që iu përgjigj thirrjes për të mbrehur penën për çështjen kombëtare në të parën gazetë në gjuhën shqipe, që doli në Shkodër, si organ shtypi politik, letra, kulturor ekonomik e shoqëror në gjuhën shqipe.

D. Ndoc Nikaj, qëkur ideoi dhe përgatiti botimin e të së përjavshmes “Bashkimi“ (numri i parë qarkulloi me emrin “Koha“, 1 kallnduer 1910), qëmtoi e përzgjodhi disa djem e burra atdhetarë, njerëz të dijes, por edhe të penës, që e përkohshmja të përmbushte sa më mirë misionin, formuluar në numrin e parë, “Kujdeson punët Kombtare e t’Ditunisë” (“Koha“), qartësuar më tej në numrin e dytë, “Përparimi i ndjenjave kombëtare dhe i ditunisë” (“Bashkimi“). Dhe me Palok Traboinin nuk u gabua, u nderua ai dhe gazeta. Cikli i shkrimeve,që kemi në tryezë, nxjerrë nga koleksionet e ruajtura në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, dëshmon për qartësinë e forcën komunikuese me opinionin publik, të cilit i drejtohej gazeta; për idetë, problemet e mendimet që Palok Traboini ngre, trajton dhe përcjell “për lulëzimin e kombit, për sundimin e tij me liri e t’gjithë punëve qi mësojnë e nderojnë kombin shqiptar”.
2.

Dalëngadalë po mbushet një shekull që nga koha e botimit të këtyre shkrimeve, me vlera sa historike, aq edhe aktuale, sidomos për mesazhet që sjellin për kohët dhe ditët tona, për domosdonë e bashkimit kombëtar, për tolerancën fetare dhe kundërshtinë e gjakmarrjes. Në kryeartikullin “Lidhësia forcon kombin“ („Bashkimi“, nr. 14, 3 prill 1910), shtjellohet teza „Lidhësia (HB- bashkimi) forcon, mirëson e gaton si përparim kombe“. Natyrshëm, me logjikë të mbrehtë, Paloka arrin në përfundimin: „dashtnija e lidhësia e nji kombi ndërmjet vedit, ndër të gjithë ato turbullina e pshtjellime popujsh...“ është faktor vendimtar për mbarështrimin e çdo kombi. Prandaj porosit se ajo duhet „ngulun me rranjë siç duhet...“. Në shënimin „Vrasjet tona“ („Bashkimi“, 1 maj 1910), autori shtron pyetjen: „E ku kena me mbarue në vazhdoshim kështu?“, dhe përgjigjet: „Fort kollaj me e ditë. Na kena me mbrritë në nji shkallë të ulët sa me ju dhimbt gjithsekujt, si nga forcadja, si kah vobeksia e kështu armiqt tonë kanë me u gëzue, sikurse kanë ba deri tash“; ndërsa në artikullin „Gjinija e kombit shqiptar“ („Bashkimi“, 17 e 24 prill 1910) me fjalë të kursyera, si sentencë, shtron detyrën: „Të gjithë ata që flasin gjuhën shqipe, që rrjedhin prej fisit tonë e që janë nji gjaku me ne, t’i duem e ti kemi në hatër...të çdo feje e besimi që te mbahen“.
Një vështrim në këta dhe shkrime të tjera, na krijon bindjen se kemi të bëjë me një publiçist të formuar me dituri politike, shoqërore e historike, me kulturë të gjerë për kohën që jetonte si dhe me të dhena a dhunti të natyrës profesionale publiçistike. Kohët e rrethanat historike e shoqërore e qitën në harresë këtë publiçist, atdhetar të përkushtuar, asokohe me të ardhme në rrjedhat e zhvillimet e politike, shoqërore dhe në lëmin e publiçistikës.


3.

Tipari i parë, që përshkon tejembanë çdo shkrim të këtij autori, është përmbajtja, qënësia, ideali dhe ndjenja kombëtare. Ai, duke njohur e marrë parasysh auditorin, rrethanat dhe psikologjinë sociale të kohës, shtrohet e kuvendon me lexuesit për tema e probleme që lidhen me kombëtarësinë. Këtë „bashkëbisedim“ e nis me etnogjenezen, prejardhjen e shqiptarëve. Në esenë „Gjinia e kombit shqiptar“, që në krye të herës vë në dukje: „Më dëshiron mendja e më lëngon zemra me mujt sadopak me ju diftue shkurt e thjeshtë ...për gjininë ose të rrjedhunit e visit tonë“. Paloka i përmbahet tezës se Pellazgët janë popullsi e lashtë mesdhetare paragreke dhe parailire. Mbështetur në fakte dhe arsyetime historike, thjeshtë, shtruar dhe me një gjuhë të qartë, argumenton dinamikën e zhvillimeve të fiseve pellazge, kalimin e tyre në bashkësi të qendrueshme, me ligje e kanune „për me pleqnue e me gjykue“ e „sundue vendin e vet me urtësi e drejtësi““, duke ardhur deri në ditët tona në trevat kombëtare, këtej dhe përtej kufijve shtetërorë
Pasi përshkruan kufijt gjeografikë, vendngulime të parardhësve tanë, që ishin „nda prej nji votre e të rrjedhun nji gjaku e nji rranje“, me të njëjtat doke e zakone, dhe që, siç dëshmonte Herodoti, „flitshin nji gjuhë“, vjen në përfundimin: „Na, po. jemi të birt e atyne Pellazgëve që sot e katërmijë vjet…“; “Na Shqiptarët pa fije vesvese jemi komb ma i vjeter se grekët e se të gjithë fiset e tjera që deri më sot njihen prej historisë në Europë“.
Palok Traboini edhe në publiçistikë është prej atyre mendimtarëve që, siç thotë urtia popullore, „nuk u bije fjala në tokë“. Çdo fjalë, çdo frazë është e menduar me synime të caktuara për të krijuar një opinion të shëndoshë shoqëror për problemet që e shqetësonin kombin dhe mbarë Shqipërinë. Në këtë vështrim, shkrimet e këtij autori janë funksionalë. Shkroi për gjenezen e kombit tonë për të krijuar vetëdijë e krenari që, siç nënvizonte, „të përpiqena shoq me shoq e të kemi nji qellim e nji të ndiem të vetëm për lulëzimin e atdheut tonë“; që „të gjithë ata që flasin gjuhën shqipe, që rrjedhin prej fisit tonë e që janë nji gjaku me ne, t’i duem e t’i kemi në hatër, çdo feje e çdo bese që ata mbahen...“. Këto ide i gjejmë të shtjelluara në shkrime të tjerë. Publiçisti vinte re se gjakmarrja, kjo dukuri rrënuese për shoqërinë shqiptare, vinte “tuj u shtue e tuj u hapë, sidomos ndër male e ndër katunde tona”. Me një shqetësim të madh atdhetar e qytetar, ai botoi në të përkohshmen “Bashkimi” disa shkrime. Në skicën “Vrasjet tona” përshkruan një ngjarje që përjetuan në Vukpalaj e Kastrat, kur si jo rrallë hapen dy varre në një ditë, “dy vigje për një herë”! Tërhiqet vemendja e opinionit shoqëror për rrënimin e madh që i sillte shoqërisë shqiptare vëllavrasja, duke mbajtur qendrim: “E për ç’ arsye u vranë? Mo zot ma keq. Për dy babune elb, për dhjetë grosh me u derdhë gjaku i dy burrave. A ka ku shkon ma zi?“. Ndërsa në shënimin publiçistik „Gjak pa gjak“ Autori e dënon rastin dy herë: gjakmarrjen si dukuri dhe pabesinë e paburrërinë e treguar nga dy malsorë, që keqpërdorën bisedën e çiltër të një malsori përdrojën që kish, edhe pse gjaqesh ishin të larë, pra, gjakmarrje pa gjak. Me pyetje- përgjigje, autori shpreh dhëmbjen e thellë për çka ngjau. Ai pyet: „A thue qitne pushkë të pëlqyeme?”. Dhe mediton: Oh! Jo për të vertetë, pse pushka s’asht mirë as e bukur kurrënjiherë me e perdorue për askënd e jo për me damtue e farue vllaznit e vet, të një fisi, të një gjaku, të një Atdheu e të një babe, po ato e bane ma të përçudun, pse e vranë gati si në dorë të vet, e ashtu...besa, burrnija...”! Sa aktualë janë mesazhet që përcillte Palok Traboini thuajse para një shekulli! Ende gjakmarrja po korr jetë njerëzish, jo vetëm në malet tona, por edhe në qytetet e fillimshekullit XXI. Po ashtu tingëllojnë edhe arsyetimet e grishjet për bashkim kombëtar, pa ndasi mendimesh e besimesh. Që asokohe, publiçisti bënte thirrje që shqiptarët “për mirësinë e përparimin e atdheut të shtërngohen në dashtni të njëmendshme ndër vedi si kristjan e si muhamedan”. Në një artikull tjetër shkruante: “kristjan e muhamedan bashkë...kurrë nuk u ndanë ndër vedi për shkak besimi...”.
Përmbajtja e publiçistikës së Palok Traboini nuk mund të kuptohet pa hyrë e analizuar thellë idetë e shkrimet për çështje të gjuhës amtare. Shkrimi “Kthjellim i mendjes së kombit shqiptar” përmbyllet kësisoj: “Sot pra...me u kujdesue për me i dhanë zhvillim mendjes sonë e përparim gjuhës sonë të dashtun, të orvatena për këtë atdheun tonë të dashtun me i dhanë atë lulzim që meriton”.

4.
Edhe pse nuk mund të bëhej fjalë për dituri a kulturë profesionale të kultivuar, te Palok Traboini vërehen elementë të mjeshtërisë së publiçikës, ashtu si sot e konceptojmë. Ndoshta intuita e një lexuesi të rregullt të shtypit shqiptar e të huaj, pasi që në rini zotëronte italishten e frëngjishtën; ndoshta dhuntia vetiake e tij për të shprehur sa më qartë, bukur e kuptueshëm idetë, mendimet, arsyetimet rreth fakteve e ngjarjeve jetësore. E vërejmë këtë në zgjedhjen e përcaktimin e mënyrave (formave të pasqyrimit publiçistik, pa e ditur si shkruhet një artikull (shih “Lidhësia forcon kombin”), cilët janë elementet formues të skicës publiçistike (shih “Vrasjet tona”), çfarë e karakterizon llojin publiçistik, letrar me karakter shkencor, ese-në (shih “Gjinia e kombit shqiptar”), të zhanrit përshkrim (shih “Gjak pa gjak”) apo variantin e artikullit problemor (shih “Kthjellimi i mendjes i kombit shqiptar).
Lazer Lumezi, mesues e koleg i Palok Traboinit ne Prizren.
Duket se autori u ka kushtuar vemendje ndërtimit të shkrimeve. Ai natyrshëm pa sforcime dhe artifica praktikon hyrje të drejtëpërdrejta në problemin a ngjarjen që do të pasqyrojë, me alternime si “hyrje treguese”, “hyrje të figurshme” apo “hyrje-sentencë”; përdor fjalë e shprehje të figurshme, retrospektivën sidomos kur evokon ngjarje apo episode nga kaulara; skicon tipat shoqërorë si Zef Nik Pretashi prej Traboini “njeri i sinqertë deri në naivitet”, si ata dy djelmoshat e ri malsorë “bajagi të pickatun e të partallisun si kah ana e armëve, ashtu edhe nga ana e veshjeve”, si gjakmarrësi Lush Gjeta, si ai djali, që shkoi në shtëpi të mësuesit Palokë dhe me nga nji gjysë ore në ditë mësim në krye të tre muajve arriti të këndojë e shkruajë gjuhën shqipe “për faqe të bardhë”. Nga një vështrin profesional të shkrimeve që kemi në dorë mund të thuhet se Palok Traboini priret nga stili bisedor, nganjëherë me dialogë, ndonjë meditim a monolog.

5.

Palok Traboini në gazetën e Shkodrës “Bashkimi” (“Koha”) u ushtrua në gazetari dhe shpejt u motivua me shkrimet e tij, si një bashkëpunëtor i vyer me emër e mëvetësi, si publiçist i temës atdhetare-kombëtare, i linjës racionale me frymëzime emocionale. Tek lexon këtë cikël shkrimesh, natyrshëm vjen arsyetimi: vallë, Palok Traboini të ketë hequr dorë nga veprimtaria publiçistike, duke u mjaftuar me këtë cikël shkrimesh apo vetëm këta artikuj janë gjetur deri më sot ?! Logjika thotë se duhet të ketë vijuar, qoftë edhe si debutues, në këtë lëmë në gazetat e revistat e Shkodrës dhe më tej, pasi: së pari, Palok Traboini ka pasë dorë të lirë, prirje për publiçistikë; së dyti, në vijimësi ka bërë objekt pasqyrimi problematiken atdhetare e shoqërore; së treti, ka shkruar edhe me pseudonim/e, si “Shqyptari” (artikulli “Si jetonin Ilirët të parët tonë”.
Prandaj hulumtimi s’ duhet reshtur.
Botuar: Gazeta "Ndryshe" Tiranë,/ Gazeta "Koha javore" Podgoricë, Mali i Zi.
dhe libri "Lufta e Maleve- Palok Traboini - 1911", Tiranë 2006



_________ _________ 
 

Shkrime te Palok Traboinit para Pavaresise
























PALOK TRABOINI

THONI GJITHMONË TË VERTETËN !

Xhorxh Uashington, një nga themeluesit e Republikave të Shteteve të Bashkuara, i cili qe president i parë nga 1789 gjer më 1797, njihej qysh në fëmijni për ndershmërine dhe drejtësinë e karakterit të tij.
Në moshën gjashtë vjeç, atij i bënë si dhuratë një sëpatë me të cilën priste çdo gjë që i binte në dorë.
Me që i ati kishte një kopësht me shumë pemë portokallesh, një ditë ai nisi t’i binte fort me sëpatë njëres prej tyre. Sapo i ati e pa trungun e saj të plagosur, shpertheu nga zemërimi dhe pyeti njerëzit e familjes se, kush ishte autori i kësaj dhune, duke shtuar se për këtë, ai do të ndëshkohej rëndë.
Në atë çast, mbrriti djali i tij Xhorxh dhe i ati, i cili s’mbahej nga inati dhe zëmërimi, e pyeti në se e ai e njihte vallë fajtorin. Djali i urtë që ishte vertet i sinqertë, nuk e zgjati por pohoi gjithëçka, duke thënë : Ati im i dashur, nuk dëshiroj të të gënjej ; jam unë që e kam bërë këtë faj.
I ati, i prekur nga ky rrëfim plot sinqeritet, u çlirua nga zëmërimi.
Hajde, biri im, tha ai, hajde në krahët e mia të më ngushëllosh. Ti ke vepruar keq, por sinqeriteti yt më shtrëngon të të fal.
Dhe i ati, vazhdoi pastaj me këto fjalë plot moral : bijt e mij çfardo që t’i u ndodhë në jetë, thoni vetëm të vertetën.


Në Shkodër të Shqipërisë me 18-10-1907




-->
GJINIA E KOMBIT SHQIPTAR
Gazeta „Bashkimi“
Shkoder,
17 e 24 Prill 1910

nga PALOK TRABOINI


Duke folë për kombin tonë, më dëshëron mendja e më lëngon zemra me mujt sadopak me ju diftue shkurt e thjeshtë gjithë vllazënve të mi që lavdërohen e nderohen me kenë Atdhetarë të vertetë, të flakët e të mirë e të vlefshëm për Atdhe - për gjininë ose të rrjedhunit e visit tonë. Ta kapim së pari fjalën gjini se çka do me thanë. Gjinia e një populli, ose të lemit, nuk është gjë tjetër veçse të rrjedhunit, si e prej kah.
Qysh se e pat fillesen krijimi i botës... e deri në ato kohna, gati kisha me thanë të mjerueme, njeriu ishte akoma i padije si nga ana e qytetnimit, ashtu edhe nga ana e ditunisë. E shkonte gjithnjë jeten duke luftue popull me popull, njeni kundra tjetrit. Filloi ngadalë me u shkëputë prej Azijet një komb njerzish, shumicë e madhe e panumrueshme e u da prej fare e fisesh të tjera, e mësyne udhën nga deti me qëllim që me gjetë ndonjë tokë ku me jetue e me gjallnue. Ky komb që çkoq e iku prej Azie quhej pellazg. Keta të drejtuem prej parive të veta, kapercuen detin me lundra e barka e erdhen në bregun e detit të Greqisë, e dolem në tokë për së pari, në një dhè që quhej Arg.
Si merret vesh prej historisë, ky vend kishte kenë krejt shkreti dhe nuk kishte shkelur njeri i gjallë përpara tyre. Të ardhunit e Pellazgëve në Europë ndodhi fort heret, e numrohen mbi katërmijë vjet e përtej.
Në ato kohna kaq të vjetra e të moçme, njerzimi ishte pa shkrim e këndim, e prandaj punët që u ban e ndodhne atëherë mbeten në terr e në mjegull e s’ dihet mirëfilli, mbasi edhe historia ala s’ kish nis me u shkrua, sepse sikur ju thashë, shkronjat nuk njiheshin ende. Porse brez pas brezi, trashëgim djal pas djali, e gojë nëpër gojë deri në kohë që zu fill shkrimi, erdhi zani i këtyre punëve e ndodhive.
Edhe nëse historia nuk pat atë dritë për me kallxue e me vertetue mirëfilli mënyren se si ngulën rranjë Pellazgët në Greqi, të gjithë dijetarët edhe të moçmit si edhe të sotshmit e dëshmuene faqe shekullit, që sot e katërmijë vjet e tekandej këta Pellazgë, gjind të moçëm e të fortë, u lëkunden prej Azijet. Këta Pellazg ishin njerëz të gjërë e të mësuem me luftua pa ja da me fare e fise të tjera, kaq sa paqe e rehati s’ dishin çdo me thanë... Tue kenë të lirë e të pa trazuem në këtë vënd ku erdhën, filluene ngadalë me punue tokat, me majt bagëti e me godit kasolle e shpija.
Filluene me u rrit e me u shumue si në gja ashtu edhe në njerëz, ma vonë nisën me u mbledhë e me jetue bashkarisht në shoqnina, ndër katunde e ndër qytete.
Mbasi u zgjanuen në gjithë ato troje e dhèna që zaptuene, aq të bereqetëshme e t’ fryteshme për rrnesë të njeriut, u bane të fortë, kështu këta Pellazg patën mbretnit e vet, krenët e të parët e vet, themeluene ligje e kanune të drejta për me pleqnue e me gjykue, kështu sunduene vendin e vet me urtësi e me gjygje të drejta e të mira. Pellazgët sado që besimet, që gjënden sot para shekullit, nuk i njihnin, asgjamangut këta adhurojshin një Zot, një perëndi të vetme sikurse e verteton vetë Heroti, historian ndër ma të moçmit; por mjerisht ma vonë filluene me u prishë e me e rrzue atë besim e me adhurue gjithshfarë kafshësh, diellin, hanen, yjt e tj. e u trueshin (flijojshin) atyre me desh, lopë, kual, qingja, dhi e të tjera shtazë. Kur dojshin me ba bè të madhe merrshin një gur në krah e u betojshin për atë peshë.
Në këtë mënyrë Pellazgët jetuene gati njëmijë vjet tuj zotnue gjithë ato dhèna e tuj kenë një pushtet e një mbretni në vedi edhe e madhe fort. Mbas Pellazgëve, filluene me u lëkund prej Azijet edhe të tjera fise e kombe, por shumë ma vonë, e ju lëshuene në shpinë Pellazgëve të ngratë, të cilet u mbrojtne mjaft aq sa u derdh gjak i madh nga ana e të dy palëve, por të e vona Pellazgët s’ mujtën ma me dajanisë me ta pse ishin ma pakicë, prandaj për mos me ra e me mbetë në dorë e nën sundimin e tyre, braktisën bregun e detit, ku sa e sa mote kishin jetue, e filluene me u përhap nëpër fusha ma të largëta, por as këtu s’ ju ba me ndej, e prandaj ikne e muarnë pyjet e malet e nalta, bjeshkët e kështu tufa-tufa, fis me fis u shkapërdanë në disa vende të largëta, ku s’kishte çka u ban kush, pse gërthye ndër shkrepa e pyjeve ku gja e gjallë nuk kalonte.
Këta Pellazg që në të vertetë janë të parët tanë e pa fije dyshimi gjaku jonë rrjedh veç prej tyre, u shkapërndanë tri a katër çetash (partinash) në të katër skajet e Atdheut tonë Shqypnisë. Një çetë mor anen e Shqypnisë së poshtme e u kap qysh nga ana e Janinës e deri në një vend që thirret Thesprotia e u shty deri në Vlonë, e të gjithë atë Dhè e thirrën me një emer të vetem Epir, e duen me thanë se e moren këtë emër prej se ishte mbi Greqi, ku së pari ngulnë e ngritnë një mbretni në vedi këta Pellazg; e dyta çetë, rrethoj Mat e malet e Dibrës deri në Shkup e kjo mbretni quhej Emattria (e madhja) por ma vonë kjo kje thirre Macedoni; e treta çetë u largua ma larg e shkoi e zuni vend në Dugagjin e ndër male të Shkodrës e kështu edhe kjo ngriti një mbretni në vedi, por shumë ma e madhe se dy të tjerat e kjo u quajt Hyllirie (Iliri).
Fisi tjetër, çeta e katërt e Pallazgëve muarën nga ana e Thesalisë, që mandej u nda në pesë krahinat Ethjot, Tezalljot, Pelazgiot, Manjës e Hesiot e gjithmonë u mbajtnë me mbretni në vedi deri në kohë të Filipit mbretit të Macedonisë.
Këta Pellazg që u ndanë në tre mbretni, mbajtnë përherë besen njëni - tjetrit, u deshtne e shkuene mirë ndër vedi pa cmirë e inate, por si vllezen që ishin, nda prej një votre e të rrjedhun një gjaku e një rranje.
Të gjithë këta kishin një doke (zakon), nji veshje e flitshin një gjuhë sikur dëshmon Herodote, qysh 484-424 vjet para Krishtit. Prorë të lidhun një besë e në një dashtni shoq me shoq u qendruene armiqve të vet me nder e faqe të bardhë.
Kush kjenë këta Pellazgë? Oh! për të vertetë e pa hiq dyshim ata ishin e janë të parët e fisit e të kombit tonë. Na po jemi të birt e atyne Pellazgëve që sot e katërmijë vjet ngulnë kambë në këtë vend të bekuem të Atdhesë sonë.
Na Shqiptarët tash katërmijë e ma shumë vjet kemi qëndrue mbi tokë, tuj mbajt përherë gjuhën, mendimin, karakterin, dokët, trimërine, fisnikërinë, të dashtunit e lirisë që lumtunisht na rrjedh prej Pellazgëve të parëve tonë. Po prej këtyre Pellazgëve që themeluan mbretninë e Maqedonise, të Epirit e të Hyllirisë.
Na Shqiptarët pa fije vesvese jemi komb ma i vjeter se grekët e se të gjithë fiset e tjera që deri më sot njihen prej historisë në Europë
... Tash që u hap fletorja (gazeta “Bashkimi”) me gëzim të madh në këtë të dashtunin qytetin tonë, ku secili prej nesh mundet me diftue marakun e dëshirën e mëndjes e të zemrës së vet pa fè(kurrfarë) kundërshtimi. Prandaj po i truhem (thërras) gjithë Atdhetarëve, ... këto pak fjalë që shkrova për mbi të rrjedhunit të fisit tonë mos ti harrojmë, por ti mbajmë të nguluna në mend e në zemër gjithë së bashku, prorë e çast e të përpiqena shoq me shoq e të kemi një qëllim e një të ndiem të vetëm për lulëzimin e Atdheut tonë.
Kështu mandaj kemi për ta mbajtë ma udobisht besën, nderën e faqen e bardhë që patme trashëgim prej të parëve tanë.
Për në daçim me kenë të nderuem e të fortë si kjenë të parët tonë, lypet domosdo e pike së pari që zemrat tona të jenë të ngrohuna e të nxehta në dashtni shoq me shoq e të gjithë rreth e qark në të katër skajet e Shqipnisë.
Të gjithë ata që flasin gjuhën Shqipe, që rrjedhin prej fisit tonë e që janë një gjaku me ne, ti duem e ti kemi në hatër, çdo feje e do bese që të mbahen...


Shkodër, 11 Prill 1910


-->
SI JETOJSHIN ILIRËT TË PARËT TONË


nga PALOK TRABOINI
Gazeta Bashkimi, Nr.20, 15 maj 1910

Ndër kohë të moçme kur gjindja edhe s’kishin fillue me u qytetnue, bajshin enët e sendet e tjera qi duhen nëpër dorë, prej gurit e me këto çashin dru, goditshin teshat për me u mblue, mytshin bagtitë për me i hangër mishin e tj. e tjerë: të kësaj kohe pra i thonë koha e gurit.
Në at kohë filluene me u njoftë të parët tonë n’faqe të botës.Këto i thirrshin Ilir pse përnjimënd fisi jonë jetote gjithmonë i lirë, në vedi, pa e urdhnue kurr njeri i huej; mashin ligjet e veta, gjygjin e vet pa ju perzie kurr i hueji.
Ilirët kien njerëz trima si në tokë ashtu edhe në det e trimënija e tyne kie gjithkah e përmëndun.
Ata gjindeshin nder brigje të detit Adriatik e ishin ndame në sa vllazni.Në buzë të siperme ishin Libert, ma të përmëndunit e tanëve, ne mjedis gjindeshin ARDEIT, n’mbrame ishin DARDANËT. Këto vllazni nuk mujten me u ba bashkë n’nji shtet të madh si kombet e tjera t’atyne kohve, pse ishin të damë copa,copa, luftojshin nder vedi per me i marr njeni tjetrit ka i copë. Të gjithë fçitë e tyne ja kishin frikën, pse ishin si gjind të egër e shpesh ja njitshin doren edhe gjasë së huej. Megjithë këtë, te dijshmit e moçem i binin si njerz të mirë qe shkonin punes drejte e gjithça, e sidomos thonë që mikun e kanë pritë gjithmonë mirë e i kan ba nder pa prites.Ata ishin burra të mdhej e te lidhun, gjithmonë gadi me luftue, por edhe tinzinat e nenkamsat ja kishte anda; e kjo nuk asht nji çudë pse ata ishin të dhanun mas idhujve e s’kishin kurrfarë shtërngim feje.
Thonë se ata ishin ma të shnoshtit e ma të fuqishmit njierz te asaj kohe, aq sa kalzojne se nji regj ( mbret) i tyne Bardyli, tuej kenë 90 vjeç, ka dalë ne luftë kundra Filipit te Maçedonise.
Kur ishin ata në luftë tuj sjell shpatat e njyme e të larueme si i bajshin atëherë, kur i shifte armiku t’veshun drrasen e zemres me lëkurë, por gadi gjithë shtatin cullak, kur jua vishkullojshin nder veshë thuprat e helmueme te xhgjetuna, u dukshin jo njerz po luaj.
Ndonse Ilirt ishin te dame me sho shojn e luftojshin gjithesecili per vedi, ndonëse po thame se Ilirt s’kishin bashkim e përkundra armiqt ishin te bashkuem me shoqi shojnë, kurrkush nuk mundet me ja , brri trimenisë rreptë të keti popull qi luftote deri sa mbete i mbrami djal, derisa u derdhte e mbramja pikë e gjakut.
Siç thaç t’parët tonë ishin të permendun si në tokë ashtu në det, kshtu shifet se Filipi i Maçedonisë urdhnoj me goditë anije luftarake si i kishin Ilirt.
* * *
Me të vertetë Ilirt gjithmonë me luftra ndermjet vedit, o me armiq ma te mdhaj se vedin, do të kishin hupë, mos me pas pas grate e mira e trimënesha.
Gruaja e atëhershme si shqiptarja e mirë e soçme, ishte puntore e shpijake e dote me rrite femitë me nder. Burri shkote me gja të gjallë në mal o delte n’lufte e gruaja kqyrteshpine e punote token, millte e korrte, bate dru, ngarkohej vet tuj dhanë gji nji a shpesh dy fmive. Kur kto gra me shtatzanë e u avite koha me le fmija, delshin prej shpijet, merrshin pyllën e mass a ditsh kthenin me fëmije ndryke e kallxojshin per marrshëm( turpshem) se e kam gjete ne pyll. Kjo grua ishte e mirë me gjith të mirat, por ishte edhe trimneshë si, o me burrat me luftue.
Kallxojshin letrat qi kur nji nder ma të mdhajt perandorë të Romës së moçme Oktaviani, rrethoj qytetin e Solonës, dulne grate Ilire t’veshuna n’petka të zeza naten për terr e si me kenë zana syne aq me hove ushtrinë e Romakëve, sa ktyne burrave ju hini mnera prej tyne e u drodhen në të ikun.
Iliri i moçëm nderote e shtite në dhe t’vdekunit me shumë madhështi ndermjet tymit te kemit e të gjakut të bagtive qi për shpirt te ti pritshin, goditeshin vorre të mdhaja qi me mija kanë qindrue e shifen sot ç’në Bosnje e deri ne Epir.Nderojshin e kujtojshin se URTDUA eshte perendesha e urtisë, FROMBO e frymës, e ernave, e shtergatës; SHUTONA e shendetes e në gjithë e cilin prrue kujtojshin se gjejshin te mshefuna e natyrës, ju dukte se prej tyne mujshin me diktue se shka ka per tub a vaki, prandaj besojshin ne nji mije marina si gjithë kombet e tjera t’atyne kohve.

* * *
Kta zakonet e t’parve tonë.
Po ku asht ajo trimni qi kta fatosa patne n’vehte? Nji mkat të madh kishte pas n’vehte rodi i Shqiptarit e ky asht pa bashkënija.
Pabashkëni shohim nder Ilir, e fiset e parë te kombit tonë. Pa bashkëni shohim nder nipa qi erdhen mbrapa.
Arsyeja e kësaj pune s’mund te kuptohet udobisht. Me kenë se fisi i Shqiptarit të kishte pasë bashkënim, oh sa i permendun e i fortë kishte kenë n’Evropë; kush s’ja kishte dalë.
E kjo bashkëni a asht nder ditët tona? Me të plasun të zemres duhet me thanë se jo. Për fat të zi t’onin, zemrat e shqyptarve janë t’dame. Unë jam llatin, e ti turk, aj tjetri grek; unë jam gegë e ti toskë.
E me kto mendime kemi mbet n’terr, kemi mbet ma të harruemit e botës. Ku shifet veç nder ne vllau qi vret vllanë për nji punë kote për inad besimit.
Oh, or vllazën, për në shkojshim në këtë rrugë, për të saktë qi kemi për të hupun, emni ynë ka me u harrue e shkaku kemi per te kenë na.
Ti bimë mbrapa pra me vakt!!!!


SHQYPTARI
( Palok Traboini)

Ky shkrim i botuar me pseudonimin “Shqyptari”, është vazhdim i shkrimeve të mëparshme të Palok Traboinit në gazetën( Koha)- Bashkimi të Dom Ndoc Nikajt në Shkodër. Ka jo vetëm të njëtin stil e madje edhe shprehje frazeologjike, por edhe thirrja në fund të shkrimit është thuajse identike me ato të shkrimeve të mëparshme, ku i bëhët thirrje popullit për bashkim. Edhe këtu, si në shkrimet e tjera, pasi shtjellon aspekte historike të zanafillës së kombit tonë, perpiqet të ngjallë ndjenjen e krenarisë e të dinjitetit të shqiptarëve, për të qënë edhe ata si të gjithë kombet e qytetnueme të Europës. Vihet re në këtë shkrim po i njëjti shqetësim i shprehur edhe më parë në kryeartikullin e shkruar prej tij “Lidhësia bashkon kombin” e kjo është “pabashkënija”në gjirin e shqiptarëve.



-->
KTHJELLIMI I MËNDJES I KOMBIT SHQYPTAR
Gazeta «Bashkimi» Shkodër, Nr. 18, 1 Maj 1910
A kemi ndonjë farë arsyeje që me u lavdue e me u krenue na kombi shqyptar për të kthjelltë e të mprehtë nga mèndja? Më duket se po, bile pa fije dyshimi, por se pak zor asht me i u gjegjë kësaj pune si e lyp nevoja e aresyeja. Mjerisht duhet thanë, që, pa kujdesia e pa zorija që kemi pasë për livrim të mëndjes sonë deri në ditë të soçme, jo vetëm bota e qytetnueme na ka mbajt e kujtue prore e çast të trashë e të ndrymë, kah mèndja e të pa preme kah tamini (imagjinata, fantazia), por edhe tjeter kushi, që në këtë punë udobisht e pa vesvese asht gjithmonë përkrah nesh, e me folë pa perde, na kapercej shumë e shumë përtej. Ne lumnisht kemi arësye me u mbajt e mu lavdrue faqe shekullit e pa kundërshtim të kurrkujt për të kthjelltë e të mprehtë kah mendja sa asnji tjeter komb. Por sikur e thash sypri këtë lumnim tuaj s’e patnë në kujdes se arsyenat e forta e lypne, për një shkak e për një tjetër, kombet e tjera patnë një farë arsyejet, por jo aq të fortë, me na kujtue të trashë e të mbyllun nga mendja. ... S’ asht me na vue faj të madh që s’mujtme me qitë në shesh e faqe të dhèut kthjellimin e mendjes, kjo ka ardh së gjithsecili nesh e di se qeveria e moçme e Stambollës, e cila asht perpjekë pa ja nda me gjithë fuqi me na mbajtë nën zgjedhë të robnisë e s’pat tjetër kujdes, i dolne doret sa e sa të dhana që kjenë damet e panumrueme të mbretnisë së saj. Na shqyptarët e ngratë s’guxueme kurr me u përkujdesue e me u orvat për zhvillimin e mendjes, as për arati të dashtunës gjuhës sonë, e cila asht vegla e vetme që ka me ba me hyp kombin tonë shqyptar, sado të e vona si ma të madhin komb të qytetnisë e të ditunisë. Por ne kohna të mjerueme të despotizmit, shumë shqyptarë kjen burgos pa dhimbë e kjen tretë e hjedh në Anadoll ku lanë kryet pa ditë se ç’mort i muer të shumën e tyne; por disa patnë baftin me ikë nepër dhèna të huaja.
Por sot e mbrapa për ditë do të mundohena me i dhanë shkas zhvillimit të mendjes sonë... Sikur deri në ditë të soçme të huajt, e sidomos armiqt e kombit tonë patnë njat fije arsye me na majt poshtë edhe nga zhvillimi i mendjes edhe nga përparimi i gjuhës...
Tash disa vjet nji malësor i ngratë, i dhanun pas gjuhës amëtare, kish pas nxanë me këndue vetë prej vedit, por jo me shkrue prandaj të përpjekmen me mue, mbas sa të lutnash që mi bani, fillova me e mësue e për një muej që më takoj me ndenj me të, mësoi me shkrue e me numrue fort bukur. Tash vonë një djalë prej Malësisë së Madhe më erdh në shtëpi me mësue e për një gjysë sahati në ditë që i mësova, në krye të tre muajve mësoi me këndue e me shkrue e numrue për faqe të bardhë, e që nuk dinte as çka do me thanë mësojtore. Kësisoj pasqyrash ndeshen shpesh ndër ne, e sidomos ndër malet tona ku emni mësojtore nuk dihej kurr.
Sot pra... me u kujdesue per me i dhanë zhvillim mèndjes sonë, e përparim gjuhës sonë të dashtun, të orvatena për këtë atdheun tonë të dashtun, me i dhanë atë lulzim që e meriton.
PALOK TRABOINI
Shkodër, 28 Prill 1910
GJAK PA GJAK
Gazeta Bashkimi, Shkoder, Nr. 13, 27 Mars 1910
Zef Nik Pretashi prej Traboinit (Hot, ditë e diel me 13 të këtij muaji, në sahatin turqisht nadje), u nis prej shtëpis së vet për zá te një mik i veti në Kastrat, i vetem pa kurrkënd.
Të mbrritmen në Qaf të Hardhisë, ku asht kufini me Hot e Kastrat, lodhun prej rruget, u ul me pushue nji grimë herë, e me dredhë një cigare duhan, kur shi në at kohë sheh dy djelmoça të ri, bojagi të pickatun e të partallisun, si kah ana e armëve ashtu edhe nga ana e veshjeve, të cilët hiqnin gjithnjë thekatueshëm prej këtij të Hotit. Të përpjekun me ta u folnë dorë për dorë.
Masandej u ulne me ndej me të, e ky me të shpejt u nxorri kutinë me mbshtjellë duhan, e tuj pyet shoq me shoq si jeni me rob e gja a po mbaheni, filluen me ra në bisedë e duke e shty kuvendin gjithnji e ma gjatë. Këta dy djelmoça e pyesin: Ka je, ka po vjen e ka po shkon more dai (zotni)?
Ky nafakziu pa fe sherrijet ju pergjegj vrap: More dait e dheut, unë jam prej Malit të Traboinit, e jam nisë me shkue në Kastrat e më pa një mik temin, po besa me dro të madhe jam nisë, veç taft e baft. Njani prej tyne ja priti me turr se çfarë friket ke lum daia? Besa e trimave frikë edhe të madhe fort, pse tash tri katër vjet, em vlla pat vra për gjak një të kushurinin tonë, Tahir Talin prej mahadhës së Halae e të birt e ti me gjithë rod gjak që kanë, orvaten pajada se si me vra një mashkull tonin, me e marr atë gjak pa gjak, si i thonë një fjalë, për arsye se që na kena pas marrë gjakun e jo ra në gjak, por ec e mbushjua mendjen atyne. Ata as në kohë të pajtimit nuk deshtne me ditë gja në këtë punë e le mos me e zgjat, ata janë faqe e zezë e të pabesë, e me diktue se jam këtu, pak kishin me ju dukë me i qitë 10 vetë në pritë, e s’ kishin me më ndrrue me mish dashi.
Ah! për këtë punë ban pallë, lum miku i dashtun, ju gjegjen të dy për nji za. Ata zoti e di ku janë tash, por edhe me kenë, na ja tek jena me ty, prandaj s’kishin me pasë çka të bajnë. Bile as me lule s’kishin guxue me të prekë, e ti çou se po të përcjellim na deri ku të duesh.
U çuene e u nisën për rrugë, por vaj-medet për të tretin se ç’udhë po ndiqte.
Të mbrritun në një shënj vendi, në midis të një pylli, kur qe katër pushkë përnjëherë, flakë për flakë, dy prej pritet e dy të tjera prej këtyre dy përcjellsave, krisne nëpër shtat të këtij të Hotit, i cili pa pikë fryme e i grimë e i coptuem prej plumbave, ra sa gjan gjatë për tokë.
Mirë ka thanë i moçmi, goja llap e paraveshi fap. Ky krahthatë ju këshillue njerzëve të huej pa i njoftë e pa i ditë, e s’kujtoj qyqari se ata ishin dora vetë, të bijt e Tahirit, që i vëllai i tij e kishte vra qëkur, e që mahalla kerkonte gjithnjë me zanë pisk një mashkull jo vetëm prej vllaznisë së tij, por prej gjithë bajrakut të Traboinit.
Këta të katër gjaksor (katila) iknë e morne malin pa pas prej kurrkujt fe frike a drojë.
A thue qitne pushkë të pëlqyeme?
Oh! jo për të vertetë, pse pushka s’asht mirë as e bukur kurr nji herë me e perdorue për askënd e jo për me damtue e farue vllaznit e vet, të një fisi, të një gjaku, të një Atdheu e të një babe, po ato e bane ma të përçudun, pse e vranë gati si në dorë të vet, e ashtu burrnija s’thotë.
0 gjak i mnershëm që ditë për ditë je tuj u derdh nëpër male të Shqypnisë, a thue ti, s’ ke me kerkue gjygj para robit e para zotit ndonjëherë sado te e vona?
0 vllazën shqyptarë, e sidomos ju malësorë, çilni sytë tuej njëherë e hiqeni atë perde ërrsine, që s’ju len me pa e me da të miren prej të keqes.
Ju po ja nxirni sytë sho’shojt pa mëshirë e dhimbë, por o burra, mos e qitni në harresë se ai gjak i vllazënve tuej që po e derdhni pa nda, ka me lyp sado te e vona gjygj... e ndënshkimi që po meritoni prej të zezave tuaja, sidomos prej gjakut që po derdhet rrkajë prej duarve tuaja, ka për të kënë fort i randë.
Edhe damin e madh që jeni tuj sjellë vendit, konaqeve, e gjithë Atdheut mbarë, nuk jeni tuj e kujtue aspak, e duhet ta dini se tue i nxjerrë trutë shoku shokut jeni tue ligshtue vedin e tuj gufue e gëzue zemrën e armikut i cili gjithnjë kënaqet.
Hiqeni pra... atë handrak e qelbsinë që zemrat tuaja aq fort përlyeme e të helmatisuna, e atëherë keni për të pa dobinë, rehatinë e të mirën e vëndit tuej.
I vrami kje lanë në mes të pyllit, shakull për tokë. Njatje vonë kje diktue prej barijëve të cilët qitne kushtrimin, e u mblodh tanë mahalla, derë për derë i çuene lajm vllaznisë të vramit, të cilët erdhen, e mornë e çuene në shtëpi të vet, e të nesermen u varros me vaj të madh.
P. TRABOINI
Shkodër, 21.3.1910
VRASJET TONA
Bashkimi, Shkodër, Nr. 18, 1 Maj 1910
Një terrinë e një farë mjegulle në Shqyptarëve na ka prè të pamit e syve e prandaj s’ jena tuj u kujtue damin e rrënimit të madh të vrasjeve që në këto kohna, në vend që me u fashitë, asht gjithnjë tuj u shtue e tuj u hap, sidomos ndër male e ndër katunde tona. Gjaksina të panumërta ndihen në të katër anët e Shqypnisë prorë e çast.
Ditën e prende me 15 të këtij mueji, Lush Gjetoja i duel në pritë Gjelosh Nik Vojvodës Vukpalaj në Kastrat e i ra martinë bri në bri. Vojvoda kishte pas një djalë të vetëm, i cili në të ndime pushkën, ngau në pikë të vrapit e në të hasmen në të atin e pyeti: «Kush të vrau tatë?» - ky ja - ktheu po me zor. Mue me vrau filani. I biri at bot s’ bani një a dy por rroku huten e të et dhe e ndoq armikun, a më mirë gjaksorin, deri që e mbyti e kështu u banë dy vigje për një herë. E për ç’ arsye u vranë? Mo zot ma keq. Për dy babune elb, për dhjetë grosh me u derdhë gjaku i dy burrave. A ka ku shkon ma zi?
E ku kena me mbarue në vazhdoshim shumë kështu? Fort kollaj asht me e ditë. Na kena me mbrritë në një shkallë të ulët sa me ju dhimbt gjithsekujt, si nga forcadja si ka vobeksia e kështu armiqt tonë kanë me u gëzue, sikurse kanë ba deri tash.
P. T. (PALOK TRABOINI)
Shkodër, 28.4.1910 



TRABOINI STUDIO CHANNEL YOU TUBE 


Gjak pa gjak, 27 mars 1910 - nga Palok Traboini

GJAK PA GJAK Gazeta “Bashkimi”, Shkodër, Nr. 13, 27 Mars 1910 Zef Nik Pretashi prej Traboinit (Hot, ditë e diel me 13 të këtij m...