BIOGRAFI SHQIP/ ENGLISHPUBLICISTIKË POEMËSHKRIME MBI P. TRABOININPËRKUJTIMORE PRIZREN 2012 PËRKUJTIMORE TUZ 2012 FOTO

NË EMËR TË ATIT…

Dy fjalë për një jetë, bashkë me një mirënjohje si hyrje:
Palok Traboini ka lindur në prill të vitit 1888 në Traboin të Hotit, në trojet që ndodhen në shtetin e Malit të Zi, në një familje që i takon fisit Gojçaj. Ka mbetur jetim në moshë të vogël dhe e ëma Nora, gjendur në varfëri, deshi ta çonte në Shkrel tek gjinia e vet, por vojvoda i Traboinit Dedë Gjo Luli, që kishte mendimin për të shkolluar një njeri nga Hoti, ku të gjithë ishin analfabetë veç priftit, ndërmjetëson dhe e dërgon në Shkodër, në ShkollënTregtare Italiane, e ku ky vogëlush hotjan do të jetonte në shtëpinë e profesorit zemërmirë Andrea Skanjeti ( i vjetri), italian ky i martuar me një vajzë shqiptare, atë bukuri qytetare shkodrane që tashmë të gjithë e njohin si Xhokonda shqiptare, Motra Tone e Kolë Arsen Idromenos.
Ded Gjo Luli, Deli Meta.
pas Deli Metës,
Palok Traboini.

Me të mbaruar shkollën në vitin 1908, në pamundësi për të vazhduar studimet e larta për gjuhësi, siç aspironte, kish arritur të mësonte 5 gjuhë, me ndërmjetësimin e Kolë Idromenos emrohet mësues në shkollën e fretënve. Po këtë vit martohet me vajzën e profesorit të vet, Katrinën, çfarë e afroi familjarisht me rrethin e elitës aristokrate shkodrane, bartëse e kulturës dhe traditave që prej kohës së venecianëve, se Shkodra dihet, ishte një Venecia e vogël, madje e ngjashme edhe nga rrethimi me ujra; tre lumej e një liqen përreth qytetit që frymëmerrte prej daljes përmes Bunës në det, duke u bërë qendra tregtare ndër më të njohurat në Ballkan..
Shërbeu si mësues në Prizren në vitet 1910-11 dhe u gjend në mes të luftëtarëve në Hot kur nisi kryengritja e Malësisë së Madhe më 24 mars 1911.
Dedë Gjo Luli, të cilit i shërbente si sekretar (sipas shkrimeve të Gjush Sheldisë që mbajnë vitin 1959), duke qënë se ishte i vetmi hotjan i shkolluar, njohës i shumë gjuhëve dhe i pari mësues i Malësisë së Madhe, e ngarkon me detyrë të sjellë flamurin kombëtar të porositur muaj më parë nga Kolë Ded Gjo Luli gjatë një vizite që kishte bërë në kancelaritë e oborrit perandorak në Vjenë. Por, disa hotjanë të moshuar, luftëtarë të kryengritjes antiosmane, thonin se flamuri ishte porositur në një puntori artistike të kryeqytetit perandorak me përkujdesjen e pretendentit si pasardhës i heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti - Skënderbeut. Ky pretendent për kurorë në Shqipëri që mbante një emër të gjatë aristokratik Juan Alardo Castriota de Perez y Valesco, më herët kishte patur lidhje me Faik Konicën, por më pas shkrimtari yne e kishte satirizuar thekshëm.
Ded Gjo Luli me të birin Kolën
Flamuri që solli Palok Traboini është pikërisht ai që njihet si “Flamuri i Dedë Gjo Lulit “ dhe është fiksuar në fotografi nga Kel Marubi me shënimin “Flamuri që u ngrit në Deçiq”. Ai flamur është shpalosur së pari tek Kisha e Traboinit në Hot, dhe luftëtarët …’e ngritën disa herë në Majën e Bratilës, duke i paraprirë kështu shpalljes së pavarësisë e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar në Vlorë me 1912”.(sipas Prof.dr. Gjovalin Shkurtaj, 2002).
Ish mik e bashkëluftëtarë me poetin Hil Mosi, tribunin Luigj Gurakuqi, shkrimtarin e botuesin e shquar Dom Ndoc Nika, me luftëtarë si Prel Keri e Ndoc Deda, i afërt shpirtnisht e familjarisht me Kolë Idromenon, inxhinjerin Zef Skanjeti e Jak Zorbën, koleg me mësuesit Mati Logoreci, Lazër Lymezi, Kolë Kodheli, Kolë Rrota, Ndoc Lezhja, Lukë Lukaj, Kolë Laca, Pjetër Pali (mësues ekzekutuar nga diktatura menjëherë pas luftës së dytë botërore) e tjerë.
Ka qënë një prej bashkëpunëtorëve të gazetës “Koha - Bashkimi“, Shkodër 1910, ku gjenden koleksionet e shkrimeve, të cilat bashkë me poemën epike “Lufta e maleve“ për kryengritjen e vitit 1911, përbën krijimtarinë e tij të zbuluar deri më tash, si autor i para pavarësisë.
Është propozuar për t’u dekoruar pas vdekjes nga veteranët kombëtarë të Hotit të Ri, në vitin 1962, si luftëtar për pavarësi, por edhe si i pari mësues i Malësisë së Madhe, por Kuvendi Popullor i atëhershëm e ka lënë në harrim, ashtu siç vazhdojnë ta lënë në harrim edhe sot e kësaj dite shtetarët mentarë të kohrave të reja, edhe pse demokracia shumë gjëra i ka rishikuar për të shmangur denigrimet e qëllimshme historike.
Në dosjet e Degës se Sigurimit të diktaturës komuniste në Shkodër, shumë kohë e deri në vitet 70, ka qëndruar e shkruar shpifja (e sajuar pas vdekjes) se Palok Traboini ka marrë pjesë në vrasjen e militantit komunist V. Shanto në Vrakë me 1944, kur dihet se mësuesi kryengritës e luftëtar i pavarësisë ishte nga ata burra, që as mund të bashkëpunonte me pushtuesit dhe as mund të vriste prapa krahësh. Qëndrimi ndaj pushtimit fashist, (thënia e tij bashkëpunëtorëve të fashizmit se: duhej vrarë e jo pritur me lule Viktor Emanueli i III-të), si dhe rasti ballë për ballë me ushtarakun Alush Lohja në Luftën e Koplikut 1920, e mishëron më së miri karakterin e Palok Traboinit.
Luftetarët e Deçiqit në një foto të Marubit. Në mes tyre Mirash Luca i Kastratit( ndënjur në mes) dhe Palok Traboini( djathtas pas, ulë në karrige).
Shpirti, idetë e atdhedashuria e zjarrtë i kanë mbetur derdhur në esè e vargje, ndërsa trupi i luftëtarit që kish marrë edhe plagë, më 14 korrik 1951 shkoi të pushojë në Rrmaj, në varrezën katolike të Shkodrës, ku tashmë ndodhet bashkë me të shoqen Katrina Skanjeti-Traboini, ajo grua trupvogël, e zgjuar, e kulturuar, ajo besimtare e devotshme; tezja e Arqipeshkvit të Kishës Katolike Shqiptare Dom Ernest Çoba, i vdekur në burgjet e diktaturës, si dhe e poetit të mirënjohur shkodran Bep Zorba, nëna e të cilit, Elena, ishte motra e, drite pastë, Dadës sime Katrinë, figurën e të cilës kurrë nuk e ndaj nga vetja. Është pjesë e jetës, ndoshta edhe pjesë e varrit. Botimi i këtij libri, gjithësesi është një kontribut modest për njohjen e vlerave të mësuesit, poetit dhe luftëtarit të dy luftrave kombëtare Palok Traboini për faktin se shumë dokumente historike e shkrime në faqet e shtypit ende nuk janë gjendur dhe dëshmitarët që e kanë njohur nuk janë më.
Por, falë librit të çmuar të Petraq Pepos, shkrimeve historike të At Donat Kurtit, kujtimeve të botuara apo të lëna tek unë, të luftëtarit kryengritës Martin Ujk Çeku-Traboini, regjisorit të mirënjohur Andrea Skanjeti që ruajti dhe ma dorëzoi kopjen e vetme të poemës së humbur “Lufta e maleve” të vitit 1911 të Palok Traboinit, falë fondit të çmuar të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë ku m’u vunë në dispozicion numurat e gazetës “Koha-Bashkimi”,Shkodër, të vitit 1910 dhe revista “Hylli i dritës”1937, falë thesarit tonë kombëtar Fototekës “Marubi”, që në vitin 1982 më dha mundësinë të gjej fotografitë e tim eti në fondin e saj, e, për të mos i harruar, ish nxënësit e tim eti e miqtë e tij në të gjallë si Pjetër Hil Pali, Gjergj Gjok Shabani, Palok Prel Vuçetaj, Kolë Duku dhe Preng Gruda që më vunë në dorë dëshmitë e dorëshkrimet e tyre.
Të gjithë këta dëshmitarë e dashamirës nuk rrojnë më, ndaj më mbetet që në krye të këtij libri t’i kujtoj me nderim sepse, pa dëshmitë e tyre, ndoshta kurrë nuk do të kishte një libër për Palok Traboinin, nga fakti se kërkimin e kam nisur veç nga një faqe e bardhë mbi të cilin shkruajta vetëm emrin e Atit. Ajo ishte gjithçka që njihja, gjithçka që kisha, sepse jeta më përplasi në shtëpinë e fëmijëve jetimë, e streha jonë në rrugën Badra u shkatrrua, pa shpëtuar dot as dhe një fotografi apo një libër pa lè për relike të tjera, pra asgjë veç emrit, çdo gjë tjetër ështe vepër e zemërmirësisë së njerëzve që e kanë njohur nga afër, çfarë mua birit të tij, fati që përcakton udhët njerëzore nuk ma dha.
Mirënjohje të veçantë për botimin e këtij libri iu shpreh:
Prof. doktor Hamit Boriçit, Tiranë, që është konsulent i këtij libri dhe njëkohësisht pedagogu im në auditoret e Fakultetit të Gazetarisë, shkrimtarit e studiuesit Fran Camaj, Tuz, Prof.dr.Gjovalin Shkurtaj, Tiranë, Prof.dr. Gazmend Shpuza,Tiranë, editorit të gazetës “Illyria” në Nju Jork, Dalip Greca, hulumtuesit të zellshëm të historisë kombëtare Gjergj Nikprelaj, analistit e art-disinjatorit Arben Çokaj, Gjermani, Gjokë Lulit në Kastrat,Vasil Qesarit e Luan S. Ramës në France, e, kurrsesi pa lënë në harresë Gjergj Camajn e Gjok Gojçin, drejtues të shoqatës “Ded Gjo Luli”, të cilët më dhanë rastin që si bir i Palok Traboinit të përshëndes e të mbaj një kumtesë në 95 vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe në sallën e restorantit të atdhetarit hotjan Gjergj Dedvukaj në Nju Jork.
Në ato çaste, në atë sallë ku ishin mbledhur bijtë e Hotit të ardhur nga të dy anët e kufirit, që i ndau më 1913, më shkoi mendja të përshëndesja edhe në emër të tim eti, por ngurrova nga droja e një keqkuptimi sepse, si mund të përshëndetet në emër të të vdekurit, mirëpo kur lexova një libër me kumtesa, botuar në Tuz me rastin 90 vjetorit të vrasjes së Dedë Gjo Lulit, ku ndesha një citim të studuesit Nikoll Berisha, e kur m’u kujtuan sentencat filozofike për lidhësinë e breznive tej e përtej vdekjes, të Nikolla Kazanzaqit tek “Asketika”, thashë se duhej ta kisha bërë, e duhet ta bëj me këtë rast, sepse “të vdekurit flasin me gojën e të gjallëve”, ndaj për sa më sipër përmenda me mirënjohje, i falenderoj edhe në emër të Atit, sepse: jeton e mbijeton Ati - sa kohë që gjallë është i biri…

KOLEC PALOK TRABOINI

Boston-Tiranë, shtator 2006
Çun Mula i Hotit,- në qënder Marash Uci me krenët e Hotit, - dhe djathtas Pretash Zeka i Kojës.



_________ _________ 
 


REFLEKSE NË PUBLIÇISTIKËN E PALOK TRABOINIT

REFLEKSE NË PUBLIÇISTIKË NE PALOK TRABOINIT





Prof. dr. HAMIT BORIÇI

1.
Palok Traboini është një prej publiçistëve të parë, që iu përgjigj thirrjes për të mbrehur penën për çështjen kombëtare në të parën gazetë në gjuhën shqipe, që doli në Shkodër, si organ shtypi politik, letra, kulturor ekonomik e shoqëror në gjuhën shqipe.

D. Ndoc Nikaj, qëkur ideoi dhe përgatiti botimin e të së përjavshmes “Bashkimi“ (numri i parë qarkulloi me emrin “Koha“, 1 kallnduer 1910), qëmtoi e përzgjodhi disa djem e burra atdhetarë, njerëz të dijes, por edhe të penës, që e përkohshmja të përmbushte sa më mirë misionin, formuluar në numrin e parë, “Kujdeson punët Kombtare e t’Ditunisë” (“Koha“), qartësuar më tej në numrin e dytë, “Përparimi i ndjenjave kombëtare dhe i ditunisë” (“Bashkimi“). Dhe me Palok Traboinin nuk u gabua, u nderua ai dhe gazeta. Cikli i shkrimeve,që kemi në tryezë, nxjerrë nga koleksionet e ruajtura në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, dëshmon për qartësinë e forcën komunikuese me opinionin publik, të cilit i drejtohej gazeta; për idetë, problemet e mendimet që Palok Traboini ngre, trajton dhe përcjell “për lulëzimin e kombit, për sundimin e tij me liri e t’gjithë punëve qi mësojnë e nderojnë kombin shqiptar”.
2.

Dalëngadalë po mbushet një shekull që nga koha e botimit të këtyre shkrimeve, me vlera sa historike, aq edhe aktuale, sidomos për mesazhet që sjellin për kohët dhe ditët tona, për domosdonë e bashkimit kombëtar, për tolerancën fetare dhe kundërshtinë e gjakmarrjes. Në kryeartikullin “Lidhësia forcon kombin“ („Bashkimi“, nr. 14, 3 prill 1910), shtjellohet teza „Lidhësia (HB- bashkimi) forcon, mirëson e gaton si përparim kombe“. Natyrshëm, me logjikë të mbrehtë, Paloka arrin në përfundimin: „dashtnija e lidhësia e nji kombi ndërmjet vedit, ndër të gjithë ato turbullina e pshtjellime popujsh...“ është faktor vendimtar për mbarështrimin e çdo kombi. Prandaj porosit se ajo duhet „ngulun me rranjë siç duhet...“. Në shënimin „Vrasjet tona“ („Bashkimi“, 1 maj 1910), autori shtron pyetjen: „E ku kena me mbarue në vazhdoshim kështu?“, dhe përgjigjet: „Fort kollaj me e ditë. Na kena me mbrritë në nji shkallë të ulët sa me ju dhimbt gjithsekujt, si nga forcadja, si kah vobeksia e kështu armiqt tonë kanë me u gëzue, sikurse kanë ba deri tash“; ndërsa në artikullin „Gjinija e kombit shqiptar“ („Bashkimi“, 17 e 24 prill 1910) me fjalë të kursyera, si sentencë, shtron detyrën: „Të gjithë ata që flasin gjuhën shqipe, që rrjedhin prej fisit tonë e që janë nji gjaku me ne, t’i duem e ti kemi në hatër...të çdo feje e besimi që te mbahen“.
Një vështrim në këta dhe shkrime të tjera, na krijon bindjen se kemi të bëjë me një publiçist të formuar me dituri politike, shoqërore e historike, me kulturë të gjerë për kohën që jetonte si dhe me të dhena a dhunti të natyrës profesionale publiçistike. Kohët e rrethanat historike e shoqërore e qitën në harresë këtë publiçist, atdhetar të përkushtuar, asokohe me të ardhme në rrjedhat e zhvillimet e politike, shoqërore dhe në lëmin e publiçistikës.


3.

Tipari i parë, që përshkon tejembanë çdo shkrim të këtij autori, është përmbajtja, qënësia, ideali dhe ndjenja kombëtare. Ai, duke njohur e marrë parasysh auditorin, rrethanat dhe psikologjinë sociale të kohës, shtrohet e kuvendon me lexuesit për tema e probleme që lidhen me kombëtarësinë. Këtë „bashkëbisedim“ e nis me etnogjenezen, prejardhjen e shqiptarëve. Në esenë „Gjinia e kombit shqiptar“, që në krye të herës vë në dukje: „Më dëshiron mendja e më lëngon zemra me mujt sadopak me ju diftue shkurt e thjeshtë ...për gjininë ose të rrjedhunit e visit tonë“. Paloka i përmbahet tezës se Pellazgët janë popullsi e lashtë mesdhetare paragreke dhe parailire. Mbështetur në fakte dhe arsyetime historike, thjeshtë, shtruar dhe me një gjuhë të qartë, argumenton dinamikën e zhvillimeve të fiseve pellazge, kalimin e tyre në bashkësi të qendrueshme, me ligje e kanune „për me pleqnue e me gjykue“ e „sundue vendin e vet me urtësi e drejtësi““, duke ardhur deri në ditët tona në trevat kombëtare, këtej dhe përtej kufijve shtetërorë
Pasi përshkruan kufijt gjeografikë, vendngulime të parardhësve tanë, që ishin „nda prej nji votre e të rrjedhun nji gjaku e nji rranje“, me të njëjtat doke e zakone, dhe që, siç dëshmonte Herodoti, „flitshin nji gjuhë“, vjen në përfundimin: „Na, po. jemi të birt e atyne Pellazgëve që sot e katërmijë vjet…“; “Na Shqiptarët pa fije vesvese jemi komb ma i vjeter se grekët e se të gjithë fiset e tjera që deri më sot njihen prej historisë në Europë“.
Palok Traboini edhe në publiçistikë është prej atyre mendimtarëve që, siç thotë urtia popullore, „nuk u bije fjala në tokë“. Çdo fjalë, çdo frazë është e menduar me synime të caktuara për të krijuar një opinion të shëndoshë shoqëror për problemet që e shqetësonin kombin dhe mbarë Shqipërinë. Në këtë vështrim, shkrimet e këtij autori janë funksionalë. Shkroi për gjenezen e kombit tonë për të krijuar vetëdijë e krenari që, siç nënvizonte, „të përpiqena shoq me shoq e të kemi nji qellim e nji të ndiem të vetëm për lulëzimin e atdheut tonë“; që „të gjithë ata që flasin gjuhën shqipe, që rrjedhin prej fisit tonë e që janë nji gjaku me ne, t’i duem e t’i kemi në hatër, çdo feje e çdo bese që ata mbahen...“. Këto ide i gjejmë të shtjelluara në shkrime të tjerë. Publiçisti vinte re se gjakmarrja, kjo dukuri rrënuese për shoqërinë shqiptare, vinte “tuj u shtue e tuj u hapë, sidomos ndër male e ndër katunde tona”. Me një shqetësim të madh atdhetar e qytetar, ai botoi në të përkohshmen “Bashkimi” disa shkrime. Në skicën “Vrasjet tona” përshkruan një ngjarje që përjetuan në Vukpalaj e Kastrat, kur si jo rrallë hapen dy varre në një ditë, “dy vigje për një herë”! Tërhiqet vemendja e opinionit shoqëror për rrënimin e madh që i sillte shoqërisë shqiptare vëllavrasja, duke mbajtur qendrim: “E për ç’ arsye u vranë? Mo zot ma keq. Për dy babune elb, për dhjetë grosh me u derdhë gjaku i dy burrave. A ka ku shkon ma zi?“. Ndërsa në shënimin publiçistik „Gjak pa gjak“ Autori e dënon rastin dy herë: gjakmarrjen si dukuri dhe pabesinë e paburrërinë e treguar nga dy malsorë, që keqpërdorën bisedën e çiltër të një malsori përdrojën që kish, edhe pse gjaqesh ishin të larë, pra, gjakmarrje pa gjak. Me pyetje- përgjigje, autori shpreh dhëmbjen e thellë për çka ngjau. Ai pyet: „A thue qitne pushkë të pëlqyeme?”. Dhe mediton: Oh! Jo për të vertetë, pse pushka s’asht mirë as e bukur kurrënjiherë me e perdorue për askënd e jo për me damtue e farue vllaznit e vet, të një fisi, të një gjaku, të një Atdheu e të një babe, po ato e bane ma të përçudun, pse e vranë gati si në dorë të vet, e ashtu...besa, burrnija...”! Sa aktualë janë mesazhet që përcillte Palok Traboini thuajse para një shekulli! Ende gjakmarrja po korr jetë njerëzish, jo vetëm në malet tona, por edhe në qytetet e fillimshekullit XXI. Po ashtu tingëllojnë edhe arsyetimet e grishjet për bashkim kombëtar, pa ndasi mendimesh e besimesh. Që asokohe, publiçisti bënte thirrje që shqiptarët “për mirësinë e përparimin e atdheut të shtërngohen në dashtni të njëmendshme ndër vedi si kristjan e si muhamedan”. Në një artikull tjetër shkruante: “kristjan e muhamedan bashkë...kurrë nuk u ndanë ndër vedi për shkak besimi...”.
Përmbajtja e publiçistikës së Palok Traboini nuk mund të kuptohet pa hyrë e analizuar thellë idetë e shkrimet për çështje të gjuhës amtare. Shkrimi “Kthjellim i mendjes së kombit shqiptar” përmbyllet kësisoj: “Sot pra...me u kujdesue për me i dhanë zhvillim mendjes sonë e përparim gjuhës sonë të dashtun, të orvatena për këtë atdheun tonë të dashtun me i dhanë atë lulzim që meriton”.

4.
Edhe pse nuk mund të bëhej fjalë për dituri a kulturë profesionale të kultivuar, te Palok Traboini vërehen elementë të mjeshtërisë së publiçikës, ashtu si sot e konceptojmë. Ndoshta intuita e një lexuesi të rregullt të shtypit shqiptar e të huaj, pasi që në rini zotëronte italishten e frëngjishtën; ndoshta dhuntia vetiake e tij për të shprehur sa më qartë, bukur e kuptueshëm idetë, mendimet, arsyetimet rreth fakteve e ngjarjeve jetësore. E vërejmë këtë në zgjedhjen e përcaktimin e mënyrave (formave të pasqyrimit publiçistik, pa e ditur si shkruhet një artikull (shih “Lidhësia forcon kombin”), cilët janë elementet formues të skicës publiçistike (shih “Vrasjet tona”), çfarë e karakterizon llojin publiçistik, letrar me karakter shkencor, ese-në (shih “Gjinia e kombit shqiptar”), të zhanrit përshkrim (shih “Gjak pa gjak”) apo variantin e artikullit problemor (shih “Kthjellimi i mendjes i kombit shqiptar).
Lazer Lumezi, mesues e koleg i Palok Traboinit ne Prizren.
Duket se autori u ka kushtuar vemendje ndërtimit të shkrimeve. Ai natyrshëm pa sforcime dhe artifica praktikon hyrje të drejtëpërdrejta në problemin a ngjarjen që do të pasqyrojë, me alternime si “hyrje treguese”, “hyrje të figurshme” apo “hyrje-sentencë”; përdor fjalë e shprehje të figurshme, retrospektivën sidomos kur evokon ngjarje apo episode nga kaulara; skicon tipat shoqërorë si Zef Nik Pretashi prej Traboini “njeri i sinqertë deri në naivitet”, si ata dy djelmoshat e ri malsorë “bajagi të pickatun e të partallisun si kah ana e armëve, ashtu edhe nga ana e veshjeve”, si gjakmarrësi Lush Gjeta, si ai djali, që shkoi në shtëpi të mësuesit Palokë dhe me nga nji gjysë ore në ditë mësim në krye të tre muajve arriti të këndojë e shkruajë gjuhën shqipe “për faqe të bardhë”. Nga një vështrin profesional të shkrimeve që kemi në dorë mund të thuhet se Palok Traboini priret nga stili bisedor, nganjëherë me dialogë, ndonjë meditim a monolog.

5.

Palok Traboini në gazetën e Shkodrës “Bashkimi” (“Koha”) u ushtrua në gazetari dhe shpejt u motivua me shkrimet e tij, si një bashkëpunëtor i vyer me emër e mëvetësi, si publiçist i temës atdhetare-kombëtare, i linjës racionale me frymëzime emocionale. Tek lexon këtë cikël shkrimesh, natyrshëm vjen arsyetimi: vallë, Palok Traboini të ketë hequr dorë nga veprimtaria publiçistike, duke u mjaftuar me këtë cikël shkrimesh apo vetëm këta artikuj janë gjetur deri më sot ?! Logjika thotë se duhet të ketë vijuar, qoftë edhe si debutues, në këtë lëmë në gazetat e revistat e Shkodrës dhe më tej, pasi: së pari, Palok Traboini ka pasë dorë të lirë, prirje për publiçistikë; së dyti, në vijimësi ka bërë objekt pasqyrimi problematiken atdhetare e shoqërore; së treti, ka shkruar edhe me pseudonim/e, si “Shqyptari” (artikulli “Si jetonin Ilirët të parët tonë”.
Prandaj hulumtimi s’ duhet reshtur.
Botuar: Gazeta "Ndryshe" Tiranë,/ Gazeta "Koha javore" Podgoricë, Mali i Zi.
dhe libri "Lufta e Maleve- Palok Traboini - 1911", Tiranë 2006



_________ _________ 
 

Një foto e re e Palok Traboinit me kolegët mësues në Shkodër

 NJË FOTO E RE E PALOK TRABOINIT ME KOLEG ËT MËSUES NË SHKODËR. Pasi përcolla shkrimin " Shkolla e Hotit të Ri dhe themeluesi i harruar...