Në Tuz u promovua libri “Flamuri në Deçiq 1911″ i Palok Traboinit
Më 22 nëntor 2012, në QKI “Malësia” në Tuz, në organizimin e SHKA “Dedë Gjo Luli” nga Traboini, u bë promovimi i librit “Flamuri në Deçiq 1911″ të Palok Traboinit (Gojçaj), atdhetarit dhe shkrimtarit, mësuesit të parë të Hotit dhe sekretarit të Ded Gjo Lulit, pjesëmarrës i Kryengritjes së Malësisë së Madhe 1911. Libri ka dalë nga shtypi para pak ditësh, në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar dhe është përgatitur nga biri i Palok Traboinit, Koleci. Moderatori i programit, në fillim, tha se edhe ky promovim i kushtohet, si një kontribut modest, 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar në Vlorë.
Megjithëse ishte ditë pune dhe përveç kësaj programi u mbajt në orët e hershme te pasditës, publiku numëronte një numër të konsiderueshëm njerëzish, të të gjitha moshave dhe shtresave: nxënës, studentë, punëtorë të arsimit dhe të profileve të tjera, si dhe mjaft intelektualë të Malësisë.
Fotografia e madhe e Palok Traboinit (1888-1951) stoliste foltoren, kurse programi filloi me një pikë folklorike të SHKA-së “Ded Gjo Luli”, një këngë “përkrye-krahu” të kënduar nga Marash Dushaj.
I pari në foltore doli profesori i filozofisë, Mark Dushaj, i cili publikut i shprehi mbresat dhe përshtypjet e veta për librin që promovohej, të parë në një këndvështrim të gjerë filozofiko-historiko-estetik. Ai kryengritjen e malësorëve në vitin 1911 e trajtoi duke e krahasuar me luftrat e shekullit XV që ka përshkruar Marin Barleti, pra si një vazhdimësi historike kurrë të ndërprerë. Poemën “Lufta e maleve” ai e quajti poemë historike dhe vlerësoi lart artin dhe sidomos porositë e saj.
Shkrimtari Anton Gojçaj |
Shkrimtari Pandeli Koçi kishte ardhur për këtë promovim nga Tirana dhe me këtë rast ai para auditorit të Malësisë tha ndër të tjera se “Lufta e maleve” e Palok Traboinit i duket si një “Lahutë e vogël e Malcis’” e P. Gjergj Fishtës. Pandeli Koçi vlerësoi lart luftëtarët e Malësisë duke mos e fshehur pakënaqësinë e vet lidhur me “harresën” e këtyre fatosave atdhetarë nga institucionet shoqërore dhe kulturore të shtetit amë.
Në fund publikut iu drejtua edhe mysafiri ekskluziv, shkrimtari Kolec Traboini, biri i Palok Traboinit. Fjalimi i tij ishte i frymëzuar, dhe mjaft emocionues, me ç’rast ai, por edhe ndonjëri në publik, me vështirësi i përmbajtën lotët. ”Unë nuk jam kryefjala këtu, jam thjesht një kundrinë”, theksoi Kolec Traboini duke aluduar në figurën e babait të vet dhe librin që ishte objekt i promovimit. Koleci pastaj foli me shumë respekt jo vetëm për babain e vet, por edhe për Ded Gjo Lulin, Kolë Marash Vatën, Nikë Gjelosh Lulin e heronjtë e tjerë të luftës së vitit 1911, që janë edhe personazhe të poemës “Lufta e maleve”. Ai tregoi ndër të tjera, disa episode nga jeta e vet, ku përshtypje la rasti kur ai pas rënies së diktaturës komuniste Koleci vizitoi vendlindjen e atit të vet, Traboinin, me ç’rast, siç tha vetë, kur shkoi bashkë me të birin te Kroni i Traboinit i tha atij: ” Këtu kanë pirë gjyshi, stërgjyshi dhe të gjithë të parët e tu! Pi edhe ti ujë në këtë krua!” Në fund, ai e falënderoi SHKA-në “Ded Gjo Luli” për organizimin e promovimit, Këshillin Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi për sponsorizimin, folësit për vlerësimet që dhanë dhe publikun e Malësisë për pjesëmarrjen dinjitoze. Të gjithë librat që kishte sjellë me vete Koleci i shpërndau falas.
Promovimi u mbyll me dy pika muzikore të SHKA “Ded Gjo Luli”: një këngë me lahutë nga Lucë Pjetër Gojçaj dhe një këngë nga grupi. Gjatë gjithë kohës sa zgjati programi, djemtë dhe vajzat e SHKA “Dedë Gjo Luli” qëndruann në skenë, në veshje kombëtare, me flamurin kombëtar në dorë.
SHKA “Ded Gjo Luli"
Kolec Traboini, i biri i autorit të librit përshëndeti dhe falenderoi shoqatën Ded Gjo Luli, Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe pjesmarrësit në këtë promovim. |
Qendistarët e vogla të flamurit pjesë e koncertit që u dha me këtë rast. |
Pamje nga salla |
Këngë me lahutë nga Lucë Pjetër Gojçaj |
No comments:
Post a Comment