GJAK PA GJAK
Gazeta “Bashkimi”, Shkodër, Nr. 13, 27 Mars 1910
Zef Nik Pretashi prej Traboinit (Hot, ditë e diel me 13 të këtij muaji,
në sahatin turqisht nadje), u nis prej shtëpis së vet për zá te një mik i veti
në Kastrat, i vetëm pa kurrkënd.
Të mbrritmen në Qaf të Hardhisë, ku asht kufini me Hot e Kastrat, lodhun
prej rruget, u ul me pushue nji grimë herë, e me dredhë një cigare duhan, kur shi
në at kohë sheh dy djelmoça të ri, bojagi të pickatun e të partallisun, si kah
ana e armëve ashtu edhe nga ana e veshjeve, të cilët hiqnin gjithnjë
thekatueshëm prej këtij të Hotit. Të përpjekun me ta u folnë dorë për dorë.
Masandej u ulne me ndej me të, e ky me të shpejt u nxorri kutinë me
mbshtjellë duhan, e tuj pyet shoq me shoq si jeni me rob e gja a po mbaheni,
filluen me ra në bisedë e duke e shty kuvendin gjithnji e ma gjatë. Këta dy
djelmoça e pyesin: Ka je, ka po vjen e ka po shkon more dai (zotni)?
Ky nafakziu pa fe sherrijet ju përgjegj vrap: More dait e dheut, unë jam
prej Malit të Traboinit, e jam nisë me shkue në Kastrat e më pa një mik temin,
po besa me dro të madhe jam nisë, veç taft e baft. Njani prej tyne ja priti me
turr se çfarë friket ke lum daia? - Besa e trimave frikë edhe të madhe fort,
pse tash tri katër vjet, em vlla pat vra për gjak një të kushurinin tonë,
Tahir Halin prej mahadhës së Halae e të birt e ti me gjithë rod gjak që
kanë, orvaten pajada se si me vra një mashkull tonin, me e marr atë gjak pa
gjak, si i thonë një fjalë, për arsye se që na kena pas marrë gjakun e jo ra në
gjak, por ec e mbushjua mendjen atyne. Ata as në kohë të pajtimit nuk deshtne
me ditë gja në këtë punë e le mos me e zgjat, ata janë faqe e zezë e të pabesë,
e me diktue se jam këtu, pak kishin me ju dukë me i qitë 10 vetë në pritë, e s' kishin me më ndrrue me mish dashi.
Ah! për këtë punë ban pallë, lum miku i dashtun, ju gjegjen të dy për
nji za. Ata zoti e di ku janë tash, por edhe me kenë, na ja tek jena me ty,
prandaj s'kishin me pasë çka të bajnë. Bile as me lule s'kishin guxue me të
prekë, e ti çou se po të përcjellim na deri ku të duesh. U çuene e u nisën për
rrugë, por vaj-medet për të tretin se ç’udhë po ndiqte.
Të mbrritun në një shënj vendi, në midis të një pylli, kur qe katër
pushkë përnjëherë, flakë për flakë, dy prej pritet e dy të tjera prej këtyre dy
përcjellsave, krisne nëpër shtat të këtij të Hotit, i cili pa pikë fryme e i
grimë e i coptuem prej plumbave, ra sa gjan gjatë për tokë.
Mirë ka thanë i moçmi, goja llap e paraveshi fap. Ky krahthatë ju
këshillue njerzëve të huej pa i njoftë e pa i ditë, e s'kujtoj qyqari se ata
ishin dora vetë, të bijt e Tahirit, që i vëllai i tij e kishte vra qëkur, e që mahalla
kërkonte gjithnjë me zanë pisk një mashkull jo vetëm prej vllaznisë së tij, por prej gjithë bajrakut të Traboinit.
Këta të katër gjaksor (katila) iknë e morne malin pa pas prej kurrkujt
fe frike a drojë.
A thue qitne pushkë të pëlqyeme?
Oh! jo për të vertetë, pse pushka s'asht mirë as e bukur kurr nji herë
me e përdorue për askënd e jo për me damtue e farue vllaznit e vet, të një
fisi, të një gjaku, të një Atdheu e të një babe, po ato e banë ma të përçudun,
pse e vranë gati si në dorë të vet, e ashtu burrnija s’thotë.
O gjak i mnershëm që ditë për ditë je tuj u derdh nëpër male të
Shqypnisë, a thue ti, s' ke me kërkue gjygj para robit e para zotit ndonjëherë
sado te e vona?
O vllazën shqyptarë, e sidomos ju malësorë, çilni sytë tuej njëherë e
hiqeni atë perde errsine, që s'ju len me pa e me da të mirën prej të keqes.
Ju po ja nxirrni sytë sho’shojt pa mëshirë e dhimbë, por o burra, mos e
qitni në harresë se ai gjak i vllazënve tuej që po e derdhni pa nda, ka me lyp
sado te e vona gjygj... e ndënshkimi që po meritoni prej të zezave tuaja,
sidomos prej gjakut që po derdhet rrkajë prej duarve tuaja, ka për të kenë fort
i randë.
Edhe damin e madh që jeni tuj sjellë vendit, konaqeve, e gjithë Atdheut
mbarë, nuk jeni tuj e kujtue aspak, e duhet ta dini se tue i nxjerrë trutë
shoku-shokut jeni tue ligshtue vedin e tuj gufue e gëzue zemrën e armikut i
cili gjithnjë kënaqet.
Hiqeni pra... atë handrak e qelbsinë që zemrat tuaja aq fort të përlyeme
e të helmatisuna, e atëherë keni për të pa dobinë, rehatinë e të mirën e vëndit
tuej.
I vrami kje lanë në mes të pyllit, shakull për tokë. Njatje vonë kje
diktue prej barijve të cilët qitne kushtrimin, e u mblodh tanë mahalla, derë
për derë i çuene lajm vllaznisë të vramit, të cilët erdhën, e mornë e çuene në shtëpi
të vet, e të nesërmen u varros me vaj të madh.
PALOK TRABOINI
Shkodër, 21.3.1910